Projekti i Dëmtimit në fshatin Lubonjë, Ndërhyrje pa Leje që cënojnë Trashëgiminë Kulturore dhe Mjedisin!
Ligji Nr. 111/2012, “Për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore” dhe Vendimi Nr. 550 i Këshillit të Ministrave përcaktojnë rregulla të qarta dhe të detajuara për ndërhyrjet në shtretërit e përrenjve dhe lumenjve. Qëllimi është të sigurohet që ndërhyrjet të kryhen në mënyrë të kontrolluar dhe në përputhje me planet kombëtare për menaxhimin e ujit duke ruajtur ekosistemet dhe burimet ujore të vendit.
Për çdo ndërhyrje që mund të ndikojë në rrjedhën natyrore ose strukturën e shtratit të përroit kërkohet leje e posaçme nga autoritetet përkatëse, zakonisht nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Ujore (AKBU) ose organet e tjera të menaxhimit të burimeve ujore. Çdo ndërhyrje duhet të mbështetet nga një studim i ndikimit në mjedis për të vlerësuar ndikimet potenciale ekologjike dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për të minimizuar dëmtimet mjedisore. Ndërhyrjet duhet të planifikohen në mënyrë të tillë që të minimizohet erozioni dhe humbja e materialeve të ngurta në shtratin e përroit. Nëse ndërhyrjet ndodhin pranë zonave të mbrojtura ose ekosistemeve të ndjeshme kërkohet miratim i posaçëm dhe zbatimi i masave mbrojtëse shtesë. Çdo ndërhyrje duhet të përputhet me planet kombëtare të menaxhimit të burimeve ujore dhe të mos dëmtojë ekuilibrin ekologjik. Pas përfundimit të punimeve mund të kërkohet një plan monitorimi për të ndjekur ndikimet afatgjata dhe një program rindërtimi në rast të dëmtimeve në ekosistem.
Ligji vendos se ndërhyrjet në shtratin e përroit duhet të jenë të kujdesshme dhe të respektojnë mjedisin për të shmangur pasoja të dëmshme në ekosisteme dhe burimet ujore.
Sipas Vendimit Nr. 550, datë 15.7.2020, të Këshillit të Ministrave, për veprimtari ndërtimore në brigje dhe në shtratin e burimeve ujore kërkohet aplikimi për leje ose autorizim përkatës. Hapat që duhet të ndiqen janë të detajuara si më poshtë:
1. Formulari i aplikimit
2. Dokumentacioni teknik dhe ligjor që përfshin projekte teknike, studime mjedisore dhe dokumente që vërtetojnë pronësinë ose të drejtën e përdorimit të zonës ku do të kryhet ndërhyrja.
3. Paraqitja e kërkesës behet pranë Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) ose Zyrës së Administrimit të Basenit Ujor (ZABU) përkatëse.
4. AMBU shqyrton kërkesën brenda 7 ditëve pune për të verifikuar plotësinë e dokumentacionit.
5. Pas shqyrtimit teknik dhe ligjor kërkesa i paraqitet Këshillit Kombëtar të Ujit (KKU) ose Këshillit të Basenit Ujor (KBU) për miratim. Vendimi merret brenda 60 ditëve kalendarike nga KKU ose 45 ditëve kalendarike nga KBU.
6. Pas pagesës, leja ose autorizimi lëshohet brenda 10 ditëve pune.
Kryerja e ndërhyrjeve pa leje ose autorizim të nevojshëm mund të çojë në sanksione ligjore dhe detyrimin për rikthimin e gjendjes së mëparshme të shtratit të përroit. Këto masa synojnë të ruajnë balancën mjedisore dhe të sigurojnë mbrojtjen e burimeve ujore në Shqipëri.
Pyetja që shtrohet është:
A janë ndjekur këto hapa dhe a janë marrë lejet përkatëse në rastin e ndërhyrjeve në përroin e Lubonjës?
Ajo që konstatohet është se nuk ka asnjë tabelë informuese mbi këtë projekt. Ky projekt ka dëmtuar një objekt historik dhe kulturor për fshatin, i propozuar për t’u bërë pjesë në listën e monumenteve të kulturës.
Nga aspekti mjedisor ky projekt pa projekt të afishuar pretendon prerjen e 68 pemëve (shelgje, vërri dhe plep), të cilat gjenden në shtretërit e përrenjve dhe lumenjve duke krijuar një habitat të rëndësishëm. Po ashtu, bimësia ripariane i referohet bimësisë që rritet përgjatë brigjeve të lumenjve, duke luajtur një rol thelbësor në ndryshimin e kushteve të rrjedhës, mbështetjen e cikleve biogjeokimike, rritjen e biodiversitetit dhe ofrimin e shërbimeve të ndryshme ekosistemike.