Zyra Vendore Arsimore Maliq, drejtoria e shkollës dhe stafi pedagogjik i shkollës së Pirgut shprehin mirënjohjen e tyre të thellë për kontributin e çmuar dhe punën e palodhur të mësuese Natashës, e cila ishte një shembull i përkushtimit dhe dashurisë për profesionin.
Ajo do të mbetet në kujtimet tona si një kolege e dashur, mirëkuptuese dhe e gatshme për të ndihmuar këdo që kishte nevojë. Mësuese me zemër të madhe, grua e fortë dhe nënë e përkushtuar, imazhi i saj do të jetojë gjithmonë mes nesh dhe korridoreve të shkollës që gumëzhinin nga zëri i saj dhe i nxënësve të saj.
Humbja e saj e parakohshme është një goditje e rëndë për të gjithë ne, dhe shkolla pa të nuk do të jetë më e njëjta. Ngushëllimet më të sinqerta i drejtohen familjes së saj dhe të gjithë atyre që e njohën e e deshën. Kontributi dhe përkushtimi i saj në edukim dhe për mirëqenien e nxënësve do të kujtohen gjithmonë me respekt.
“Lamtumirë, mikja, shoqja dhe kolegia jonë e shtrenjtë. Ti do të jetosh përjetë në zemrat tona.” – shkruhet në faqen zyrtare të shkollës “Tafil Rexhepi”, Pirg.