Si fillim ndërtohet struktura prej hekuri, më pas sipër saj nga kulmi e deri në anë vendosen kallamë dhe kashtë dhe kështu ndërtohet një çadër plazhi.
Këtë punë Artani nga Bilishti e bën çdo verë.
Ai është çdo fillim sezoni bashkë me familjen zhvendoset në Vlorë ku prodhon në mënyrë artizanale çadra plazhi për pushuesit.
Këtë zanat e ka mësuar nga xhaxhai për të cilin thotë së është mjeshtër në ndërtimin e çadrave të kashtës. Ka mbi 17 vite me këtë punë si trashëgimi familjare.
Artani nuk qahet pasi të ardhurat prej këtij zanati i cilëson te mjaftueshme për të përballuar muajt e tjerë të vitit në Bilisht.
Edhe pse këtë vit sezoni veror për shkak të kohës së paqëndrueshme nisi me vonesë, Artani thotë se kërkesat kanë nisur dhe janë shumë. Çadrat e tij kërkohen në të gjithë Shqipërinë ku ka bregdet apo liqen.
Në mënyrë që çadrat të jenë cilësore dhe të përballojnë diellin e verës lëndën e parë e zgjedh vetë dhe me kujdes. Ai angazhon dhe puntorë të tjerë të cilët i mbledhin kallamat në zona të ndryshme të vendit dhe i sjellin këtu.
Edhe pse se është një zanat modest dhe me të ardhura jo shumë të larta Artani thotë se do e trashëgojë këtë zanat tek fëmijët, për të vazhduar traditën familjare të trashëguar brez pas brezi në Bilisht por që iu shërben turistëve vendas dhe të huaj.