Një lajm i kobshëm erdhi paraditen e kësaj të enjte. Një nga njerëzit më të respektuar e kritikët shqiptarë, Artan Lame mbylli sytë përgjithmonë në moshën 58-vjeçare pas një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Ai ndërroi jetë në një spital në Mynih, Gjermani, pas një ndërhyrjeje të vështirë në zemër.
Lame ishte nga ata njerëzit punëtorë, të cilët asnjëherë nuk brohoriti me të madhe për veten, por la punën, qetësinë dhe pasionin e tij për vendin që të fliste kudo dhe kurdoherë për të.
Jeta e tij ka qenë e drejtuar në disa fusha të rëndësishme, duke jetuar mes politikës, historisë, publicistikës dhe trashëgimisë kulturore.
Artan Lame lindi në Tiranën e viteve 1967. Me pasionin e tij të hershëm për historinë dhe arkitekturën, ai u bë një nga zërat më të njohur në media e botime, duke kontribuar për vite me radhë në trashëgiminë tonë historike dhe kulturore.
Në politikë, ndryshe nga shumë figura të tjera, ai u përfshi me dinjitet, duke thënë gjithmonë atë çfarë mendonte dhe duke mos “kyçur” gojën atëhere kur zëri i tij duhet të dëgjohej. Si një nga figurat aktive të Partisë Socialiste, Lame qëndroi afër vlerave të dialogut, zhvillimit dhe institucionalizimit të shtetit.
Nga vitit 2013 deri në 2019 ai kishte postin e Drejtorit të Përgjithshëm i ALUIZNI-t (Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale), ku dhe asokohe u përball me një nga sfidat më të vështira, integrimin e hapësirave të ndërtuara ilegalisht.
Lame ishte po ashtu një publicist i mprehtë, me një stil të veçantë, i matur, i thellë dhe gjithnjë human. Artikujt dhe daljet e tij publike shquheshin për analizën e ftohtë dhe gjithmonë vendoste pikat mbi “i”, aty ku dhe duheshin vendosur.
Ndërkohë, që nëpër ekrane apo në faqet e gazetave, ai asnjëherë nuk kërkoi që të bëhej i famshëm, por të bëhej i dobishëm, dhe këtë mund ta pohojnë më së miri të gjitha ata miq e kolegëve gazetarë që Lame i pati gjatë jetës së tij.
Madje mund ta themi me bindje se ai ishte dhe një ndër të parët personazhe publike që ngritën zërin për rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë tonë kulturore, në një kohë kur zhvillimi i shpejtë dhe progresi i vendit po kërcënonte që të fshihte të kaluarën, atë që të parët na kanë lënë.
E sot, humbja e një njeriu si Artan Lame, padyshim që është një trondite për të gjithë ata që e kanë njohur, ndjekur dhe vlerësuar. Këtë të enjte, 22 maj, Shqipëria humbi një njeri që e deshi vendin e tij, punoi dhe u përkushtua me të gjithë forcën dhe dijen e tij.
Arsimimi dhe Aktiviteti Profesional:
Lame ka përfunduar Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, dega Inxhinieri Markshajderi. Ai ka shërbyer si publicist, opinionist dhe koleksionist, duke kontribuar në studimin e historisë shqiptare dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Aktiviteti Politik dhe Shoqëror:
Artan Lame ka qenë anëtar i Partisë Socialiste dhe ka kandiduar për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, 2009 dhe 2013.
Nga 2011 deri në 2013, ai ka qenë anëtar i grupit të punës për hartimin e Programit të PS-së. Në fushën e shoqërisë civile, ai ka shërbyer si Nënkryetar i Federatës së Koleksionistëve Shqiptarë dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në organizata ndërkombëtare si “World Collectors Club” në Gjenovë dhe “Instituto degli Studi Araldici” në Milano. Gjithashtu, ai ka qenë Komisar për Shqipërinë në Panairin “IBRA ‘99” në Nuremberg.
Funksione shtetërore:
1999-2000: Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
2000-2002: Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.
2002-2005: Zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit.
2013-2019: Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale).
2019-2023: Drejtor i Përgjithshëm i ASHK (Agjensia Shtetërore e Kadastrës).
Botime:
Rubrika e përjavshme “Shqipni e harrume” në revistën “JAVA”, (2005-2013).
Rubrika e përjavshme “Shqipni tavolinash” në gazetën “SHQIP”, (2006-2013).
TIRANA në kartolina deri më 1944, (grup autorësh) Tiranë 2000.
Medaljet shqiptare (1914-1944) vëllimi l, Tiranë 2010.
Medaljet shqiptare (1945-2002) vëllimi ll, Tiranë 2010.
TIRANA, Planin, Building, Living, (grup autorësh), Wien 2011.
Princi i Shqiptarëve, Tiranë 2011
Piramida e Tiranës (bashkarisht me Ardian Klosi), Tiranë 2011.
Dekorimet dhe Nderimet:
Në vitin 2010, Lame u nderua me çmimin “Book of the Year” nga MIC London për librin “Medaljet shqiptare 1914-2002”. Në vitin 2012, ai u dekorua nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes” për aktivitetet e tij në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.


