Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur së fundmi, ku një 15-vjeçar ka arritur të hyjë në serverat e disa prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar, përfshirë Parlamentin, Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH) si dhe disa institucione të tjera.
Burime pranë organeve hetimore bëjnë me dije se i mituri është në spektrin autik dhe po verifikohet mundësia që persona të tjerë të kenë ndikuar apo ta kenë shtyrë për të ndërhyrë në sistemet e këtyre institucioneve.
Sipas Policisë, deri tani nuk rezulton që të jenë marrë apo shpërndarë të dhëna të ndjeshme nga këto servera, por hetimet po vijojnë me intensitet. 15-vjeçari është marrë në pyetje, ndërsa pritet që në ditët në vijim të dalin detaje të mëtejshme mbi motivet dhe mënyrën se si është realizuar kjo ndërhyrje kibernetike.
Njoftimi i policisë
DVP Vlorë
Finalizohet operacioni “The Accountant”, goditet një rast i ndërhyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike të disa institucioneve shtetërore.
Identifikohet, pas një hetimi 1-mujor me metoda speciale, dhe vihet në hetim një i mitur si autor i dyshuar.
Sektori i Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, Dega Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “The Accountant”.
Ky operacion u zhvillua pas një hetimi intensiv njëmujor, të ndjekur me metoda speciale hetimi, në kuadër të goditjes së krimeve kibernetike.
Si rezultat i hetimeve, u dokumentua veprimtaria e kundërligjshme e një shtetasi të mitur 15 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se gjatë muajit mars 2025 ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në të dhënat kompjuterike të disa institucioneve shtetërore (email-e dhe faqe zyrtare), duke shkaktuar ndërprerjen e funksionimit të tyre për periudha të caktuara kohore.
Nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar vjedhje të të dhënave apo dokumenteve konfidenciale nga këto sisteme.
Gjatë operacionit u sekuestruan disa pajisje, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të thelluara teknike, konkretisht: 5 kompjuterë laptop, 6 aparate celularë dhe 1 dron.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie.


