Ka kohë e vite që opozitarizmi në Korçë është inekzistent, por me raste ka ndonjë shkëndijë në prag apo përgjatë fushatave.
Ata të cilët rreshtohen në atë të ashtuquajturën opozitë, punojnë veç për hallet e tyre, kjo kuptohet qartazi, sepse ata urdhërohen të flasin vetëm në fushatë, me gjasme bëjnë pak opozitë, pasi pas fushatave i sheh te kacavirren për të kapur ndonjë tender, vende pune apo ndonjë gjë tjetër.
Po a ka në Korçë dhe të gjjtha bashkitë e qarkut vend për opozitë?
Sigurisht që ka dhe është tepër e nevojshme, kjo për të mos lejuar pushtetin të ecë pa i hyrë gjemb në këmbë, pasi duke reaguar opozita edhe vendimet që merren do të jenë në të mirë të komunitetit dhe jo xhepit.
PD në Korçë ka marrë drejtim të paditur e jovetëm në Korçë por në të gjithë qarkun. E çuditshme është se si e mbushin ditën, çfarë bëjnë, a e dëgjojnë popullin hallexhi apo jo. Me siguri dikush do thotë po mbledhin material që të plasin bombën… por mjafton të futesh në faqet e tyre në rrjet dhe nuk do gjesh më të voglin shqetësim të biznesit, banorëve apo fermerëve të juglindjes.
PL nuk ekziston gjëkundi, janë pa deputet e me disa pak këshilltarë në këshill bashkiak që një Zot e di me çfarë merren dhe çfarë bëjnë aty. Ato ditët me vrull që u fol se ata do jenë zëri qytetar nuk po vijnë.
Si do të vinin?
Pas çdo mbledhje këshilli mjaftonte një deklaratë për mediat e tyre mbi atë çfarë ndodh atje, por edhe kjo është parë e pa arsyeshme për t’u bërë. Duket se gjërat ecin mirë saqë ata nuk flasin. Ata pra ata, që thanë se do “shpërthenin” këshillat duke kërkuar të drejtën e qytetarëve.
Njerëzit jetojnë me ndihma ekonomike, nuk kanë dru për ngrohje, nuk mbyllin dot muajin me të ardhurat e tyre, nuk lëvizin dot gjatë dimrit për nevojat bazike, kanë mbaruar shkolla por diplomat i varën në mur, ikin se askush nuk i dëgjon, as opozita.
Këto a nuk janë çështje që duhet të jenë kryefjalë e çdo dite?
Janë, janë por kush t’i ngrejë është çështja. Po ndodh ajo që nuk pritej, po fillon të flasë pushteti për ta, se opozita është në vdekje klinike.
Pa opozitë Korça, pa opozitë Devolli, Pogradeci e Maliqi, Kolonja jo e jo, po ku jeni futur more opozitarë?
E sigurtë që nuk po kërkoni pushtet apo qeverisje, pasi duket se po majmeni më shumë në opozitë.
Prandaj nëse ka edhe një arsye të fortë se përse të gjithë ikin është se askush nuk po i dëgjon, nuk po ngre zërin për ta.
Kur zgjedhjet duan më pak se dy vjet të mbahen, opozitarët do flenë, do flenë sepse do zgjohen 2 muaj para zgjedhjeve, kohë që nuk i hyni në punë askujt, pasi është periudhë që lëviz çdo gjë, leku, punësimet, nderet, etj.
Jemi pa opozitë, jemi me një pushtet që nuk e kundërshton kush dhe sigurisht që mendon se po i bën gjërat mirë edhe kur rrit taksat, por që askush nuk reagon.
Prandaj njerëzit ikin, sepse para tyre ka ikur opozitarizmi dhe shpresa si dikush po i dëgjon dhe zgjidh hallet.
P.s presim që PD-të dhe PL të reagojnë dhe të na akuzojnë si portal pranë qeverisë pas këtyre rreshtave, por ne shpresojmë që ata të merren edhe me popullin edhe me ne në këtë rast.