Kantautori Nonda Kajno mbetet një ndër serenatistët më në zë të këngës korçare. Ai mbetet I pari në historinë e Shqipërisë që në vitet 1970 krijoi grupin e parë me 3 kitara që më vonë u përhap dhe në Tiranë.
Pas Festivalit të 11-të edhe këngët e tij si dhe ai vetë u godit duke e quajtur “se kisha qenë liberal, kësha sjellë rritmet dhe muzikën perëndimore, kisha koncepte mikroborgjeze, desha të degjeneroja rininë”.
Në fakt shokët e vërtetë e mbrojtën por kryesisht vetë Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Korçës Petraq Zoto. Por meraku I tij në këto vite të demokracisë është që të zhvillohet një Festival i Serrenadave korçare.
Sipas tij serrenadat “Nuk mund të them se janë të rrezikuara, sepse ato i mbajnë gjallë vetë korçarët. I mbajnë gjallë emigrantët kudo nëpër botë. Do të ishte më mirë që pushteti lokal mos e linte në harresë këtë vlerë që ka Korça”.
Si e nisët rrugën e bukur të këngës si kantuautor, kush ishte nxitësi kryesor në këtë rrugëtim?
Rrugën e bukur të këngës si kantautor, e kam nisur rastësisht që në vitet e para të gjimnazit. Ishin vitet 60-70, ku grupe të ndryshme të rinjsh dilnin rrugëve dhe rrugicave të Korçës, duke ju bërë serenata vajzave që kishin për zemër. Fillimisht unë i ndiqja ata, pastaj fillova të këndoja edhe unë dhe kështu u bëra nga zërat më të pëlqyera të grupit të serenatistëve. Theksoj se në ato vite nuk kish televizorë, madje edhe radiot ishin të pakta.
Si fillim unë kam kënduar me serenatistët më të mëdhenj në moshë si Ligoraq Qano, Sotiraq Mitre, Dhimitër Hreshova (Taqkë Karmeni ). Më vonë, me vëllezërit Ilija, Pandi dhe Gjergji Peleshi, Nasi Kondili etj. Në atë kohë, u krijuan shumë grupe serenatistësh që quheshin ” Parera “.
Dua të theksoj që korçarët ishin një popull i emancipuar, me kulturë perëndimore. Nuk mund të gjeje në atë kohë në Shqipëri ose në Ballkan prindër që ti këndojë vajzës së tyre me kitarë, këngë dashurije 3-4 metra larg dritares, dhe prindërit e vajzës të dëgjonin me kënaqësi. Ka qenë vërtet një popull me kulturë. Kjo ish si rezultat i emigracionit të korçarëve në vendet evropiane.
Korçarët në emigrim zgjodhën Europën. Nga malli për vendlindjen, për familjen, për të dashurën e zemrës, ata zgjodhën këngët dhe melodite më të bukura që dëgjonin ne emigrim. Ato melodi aq të bukura, ju përshtatën edhe poezitë e bukura të dala nga shpirti i tyre. Këto ishin serenatat e para, që hynë në Korçë. Nëna juaj ka qenë në një klasë me Tefta Tashkon, por mirrte mësime dhe nga piktori Vangjush Mio.
Si ti ka përcjell nëna juaj njohjet me këta dy arttistë të mëdhenj shqiptarë?
Nëna ime Izmini, pasardhëse e një familje të njohur në Korçë, si familja e Janko Priftit, ka qenë në një klasë, madje në një bangë me artisten e madhe Tefta Tashko Koço. Po kështu, merte mësime edhe nga Piktori i Popullit Vangjush Mio, shtëpija e të cilit ishte disa metra larg të sajës. Miqësia me familjen e piktorit Vangjush Mio, ruhet edhe ditët e sotme, me vajzën e tij Rozeta Mio.
Babai im Xhuvi Kajno, ishte tregëtar i njohur në Korçë. Ai ka realizuar edhe pllakat e gramofonit me sazexhinjtë e korçës, me këngëtare Qerimenë, të vetmen këngëtare femër të asaj kohe.
Cila është kënga e parë si këngëtar e Nondës? – Po kënga e parë si kompozitor?
Kënga e parë si këngëtar, nuk më kujtohet, sepse unë mësova shumë këngë serenate, nga serenatistët që përmenda më lart, kurse kënga e parë e kompozuar nga unë, ishte një këngë dedikuar një vajze shumë të bukur, me emrin Dadajka. Mbaj mend në fillimet e para, kur fillova të kompozoja, nuk i vija shumë rëndësi tekstit të këngës. Kur filloja e këndoja këngën së bashku me shokët, ajo merte formë si tekst me ndërhyrjet edhe të shokëve të mij.
Afër shtëpisë sime, ishte edhe shtëpija e një personazhi të njohur në Korçë, “Taqo Babucit”. Taqua kishte një shtëpi me një obor të madh. Në oborin mbrapa shtëpisë, Taqua kish ndërtuar një barake, ku punonte si marangoz. Ishte edhe qejfli i pëllumbave. Ne atje mblidheshim dhe këndonim. Në shtëpinë e Taqos, vinte edhe shkrimtari Teodor Laço, i cili Taqon e bëri personazh filmi me emrin Platon Burbuqi, (është pikërisht Taqo Babuci).
Nonda Kajno vazhdon ende dhe sot të prodhojë për qytetin e tij, duke ushqyer shpirtin ende me pasion për serenatën dhe notat e ëmbëla e dala nga mendja e duart e artistit korçar.