Këtë të martë, të gjitha shkollat 9-vjeçare të qytetit të Korçës morën pjesë në Olimpiadën Mbarëkombëtare të Gjuhës Shqipe për klasën e nëntë. Nxënësit e shumtë shpalosën dijet dhe njohuritë e tyre për gjuhën shqipe, një pasuri e vyer që, sipas tyre, është mjeti më i fortë për mbrojtjen e identitetit shqiptar.
Olimpiada është një iniciativë e përbashkët e Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila ka për qëllim të nxisë nxënësit në mësimin e gjuhës amtare, si dhe të nxjerrë në pah prirjet dhe talentet e tyre në këtë lëndë. Kjo ngjarje ka edhe një dimension promovues për vlerat e gjuhës shqipe, duke kontribuar në ruajtjen e traditës dhe identitetit kombëtar.
Pjesëmarrësit e Olimpiadës, nxënës të klasës së nëntë, kanë shprehur se niveli i garës ishte mesatar dhe se kanë bërë përgatitje të vazhdueshme për të qenë të përgatitur për këtë kompeticion.
Mësueset e Gjuhës Shqipe, Eva Cenolli dhe Ermira Bako, kanë theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti, si një mundësi për nxënësit që të zhvillojnë njohuritë e tyre dhe të nderojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare.


