Është përmbyllur me sukses procesi i restaurimit dhe konservimit të ikonës “Burimi Jetëdhënës”, një vepër me vlera të veçanta artistike e shpirtërore, me origjinë nga Manastiri i Shën Pjetrit në Vithkuq, Korçë. Kjo ikonë i përket trashëgimisë sonë të çmuar kulturore dhe është një tjetër dëshmi e pasurisë së artit bizantin dhe pasbizantin në Shqipëri.
Procesi i restaurimit u realizua në Laboratorin e Restaurimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, një qendër e specializuar që prej vitesh kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e thesareve të artit sakral shqiptar. Laboratori përbën një prej pikave më të rëndësishme të muzeut, ku punohet me kujdes shkencor dhe profesionalizëm të lartë për të siguruar jetëgjatësinë e veprave artistike që ruhen në fondin e pasur të institucionit.
Ikona “Burimi Jetëdhënës” është pjesë e koleksionit të ikonave që mbahen në fondet e muzeut dhe përfshin vepra të autorëve të njohur të shkollës korçare dhe asaj pasbizantine. Restaurimi i saj është kryer me standardet më të larta të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke respektuar integritetin artistik dhe teknikën origjinale të realizimit.
Puna e bërë në Laboratorin e Restaurimit është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të investuar në trashëgiminë kulturore, përmes forcimit të kapaciteteve të muzeve dhe institucioneve të tjera të kujtesës. Falë mbështetjes institucionale dhe ekspertizës vendase, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar po konsolidohet si një nga qendrat kryesore të kërkimit, ruajtjes dhe promovimit të artit mesjetar në rajon.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjtar në Korçë është një institucion i rëndësishëm, përmes të cilit theksohet rëndësia e mbrojtjes së identitetit kulturor kombëtar, si dhe nevoja për të ruajtur lidhjen me trashëgiminë shpirtërore që ndër shekuj ka formuar fizionominë kulturore të vendit tonë.


