Deputetja e Partisë Demokratike dhe drejtuesja politike për rrethin e Sarandës, Ina Zhupa, ka denoncuar vendimin e Këshillit Bashkiak të qytetit për transformimin e oborrit të pasmë të gjimnazit “Hasan Tahsini” në një parking publik. Sipas saj, ky vendim i miratuar me votat e këshilltarëve socialistë përbën një rrezik për sigurinë e nxënësve dhe bie ndesh me kërkesat e komunitetit.
Përfaqësuesja e opozitës theksoi se mësuesit, nxënësit dhe banorët e zonës kanë kërkuar prej kohësh që kjo hapësirë, e cila i ka kaluar së fundmi në pronësi Bashkisë Sarandë, të shndërrohet në ambiente sportive dhe rekreative. Ajo argumentoi se një investim i tillë do t’i shërbente shëndetit, edukimit dhe mirëqenies së brezit të ri, ndërsa tjetërsimi në parkim makinash sjell pasoja negative për mjedisin arsimor.
Rreziku nga trafiku dhe mungesa e planifikimit urban
Në reagimin e saj, Zhupa vuri në dukje se standardet europiane të planifikimit të shkollave synojnë pikërisht të kundërtën: më pak makina pranë ambienteve arsimore dhe më shumë hapësira të gjelbra e të sigurta. Ajo paralajmëroi se ndërtimi i një parkingu publik pranë gjimnazit do të sjellë më shumë hyrje-dalje automjetesh, duke rritur rrezikun, zhurmën dhe ndotjen e ajrit. “Oborri i shkollës nuk është një truall rezervë për të mbuluar mungesën e vizionit të bashkisë Sarandë,” deklaroi ajo, duke shtuar se bashkitë e përgjegjshme krijojnë zona të mbrojtura rreth shkollave dhe nxisin aktivitetin fizik.
Duke pranuar nevojën e qytetit bregdetar për hapësira parkimi, deputetja theksoi se kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së planifikimit urban. Ajo kërkoi që zgjidhjet të gjenden përmes një plani serioz në hapësira të projektuara për këtë qëllim, pa sakrifikuar institucionet arsimore. Në përfundim, ajo i bëri thirrje institucionit vendor të tërhiqet nga ky vendim. “Hiqni dorë nga ky projekt i turpshëm dhe cënimi i sigurisë dhe standarteve për nxënësit e gjimnazit,” përfundoi Zhupa.
Foto: BalkanWeb


