Protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka shënuar ditën e saj të 97-të me një marshim në rrugët e Tiranës, pas grumbullimit fillestar pranë godinës së Kryeministrisë. Pjesëmarrësit vijuan thirrjet për largimin e kreut të qeverisë dhe për ndryshimin e sistemit politik në vend.
Thirrje për përshkallëzim dhe rrethim paqësor të institucioneve
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, njëri prej protestuesve kërkoi zgjerimin e përmasave të tubimit dhe bllokimin e selive qendrore shtetërore. «Të gjithëve u bëj thirrje që kjo protestë të përshkallëzohet. Të rrethojmë në mënyrë paqësore Parlamentin, Kryeministrinë dhe jam i bindur që Evropa do të veprojë. Shqipëria po bën revolucion, ka ardhur momenti historik», deklaroi ai.
Tubimi, i cili prej javësh zhvillohet në mënyrë të përditshme, vjen pas tensioneve të regjistruara më herët pranë Kryeministrisë, ngjarje pas të cilave u liruan 14 protestues të cilët ishin arrestuar më parë nga policia.


