Pse gazifikimi është historik për Korçën Këtë të martë u nënshkrua memorandumi për gazifikimin e Korçës mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgaz dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR.
Ky memorandum hap rrugën për nisjen e projektit të parë pilot për gazifikimin e Korçës, historik për qytetin juglindor.
Janë disa arsye pse gazifikimi është historik për Korçën.
Së pari, gazi do të ofrohet me çmim të ulët për të gjithë qytetarët, të cilët sot ngrohen me dru dhe çmimi i drurit është 60-70 mijë lekë të vjetra për metër kub.
Së dyti, miliona euro shpenzohen për ngrohjen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Gjithashtu, miliona euro paguhen për ngrohjen e institucioneve publike, spitaleve, qendrave shëndetësore, bashkive, prefekturave etj. Me gazifikimin do të ulen edhe shpenzimet nga buxheti i shtetit.
E treta dhe më e rëndësishmja është se do të ketë gaz për ngrohje për qytetarët dhe gazi është shumë herë më i lirë se çdo instrument tjetër që përdoret për ngrohje.
Së katërti, nga ky projekt përfitojnë edhe bizneset. Ato biznese që mbështeten nga industria e gazit do të kenë përfitime më të mëdha ekonomike me gaz më të lirë. Ndaj sot është një ngjarje historike që mbështetet nga Azerbajxhani, të cilët janë investitorët kryesorë të TAP.
Një premtim i bërë disa kohë më parë, i cili dukej i pabesueshëm, është sot një realitet dhe një ngjarje e rëndësishme për qytetin e Korçës.
Ky është projekti i parë pilot, që duhet ndjekur edhe në qytete të tjera, pasi do të sillte jo vetëm përfitime ekonomike, por do t’i shërbente edhe shërbimit të këtyre qyteteve.