Sot na qenka dita e Muzikës.
Muzës me tinguj, zemrës që dridhet mistikës me fletë, metrikës, matematikës së vërtetë!Këtyre kohëve të relativizimit të skajshëm, mjedisi, pyjet kanë ditën e vet, abetarja të vetën (lexo: ne ja u bëjmë gropën, po dimë t’u festojmë mirë e bukur ditëlindjet).
Siç dje ishte dita e Tokës, sot e Muzikës nesër e komunitetit Trans dhe pasnesër e Lumenjve. Javës tjetër diçka tjetër, e kështu me rradhë, dita ditës, teknologjia e të bërit sikur, nis e rrëndon ku e ku më shumë sesa serioziteti dhe vëmendja, që meriton secila prej dukurive, për të cilat, më shumë sesa ka bukë ndërgjegjësimi për rëndësinë e tyre, na vlen shëndetësimi dhe zbukurimi që na i bën mendjes, trupit, shpirtit dhe krejt jetës sonë komunitare.
Secila më vete e të gjitha së bashku, prej punës sonë, që të jenë aty ku duhet të jenë.
E trishtë kjo gjë në fakt: përpos disa përjashtimeve, nxitojmë t’u fryjmë qirinjve dhe t’u blatojmë dhurata fjalësh, sidomos kur u caktohet data e kremtimit, për t’u harruar pastaj deri në dhimbje, e për t’u kujtuar t’u vemë nganjë buqetë me lule, e për t’u mjaftuar me prozhektorët syvrasës, të apatisë, 365 ditët e ardhshme.
Ja, merre muzikën e lidhur me Korçën dhe mos u shpërnda gjetiu, po shikoje në sy Korin Lira.
O Nder i Kombit! Je Nder e shkuar Nderit, për mbarë kombin shqiptar sepse tashmë ke historinë mbi 100 vjeçare që e kallzon me pash’, qetësi të urti, freski si vashë!
O Nder! O Kor!
Kur ti jehon harmonishëm i tregon të madhi e të vogli se ç’di të bëjë njeriu me disiplinë, kur gërsheton respektin me hierarkinë, fuqinë e misionit të përbashkët, me talentet dhe dhuntitë e Qiellit.
Na rrëfen aq thjesht dhe aq bukur se si qëndron fort dashuria, kur shkrihen e zerohen egot. Na tregon si kurdisesh si orë e përsosur zvicerjane për t’u bërë Një, për t’u dëgjuar me ëndje e për të falur frymëzim e shpresë!
Evropa, që në majë të gjuhës ka shprehjen Old is Gold, në s’ka caktuar ende një ditë për demokracinë, le të marrë për shembull Korin Lyra!
Le t’ja dëgjojë partiturat sublime kësaj eminence të qytetarisë, se diç do mësojë e diç më ndryshe do na vlerësojë.
Po para se të rrekemi për vlerësimin e tjetrit, lipset të tregojmë respekt për veten.E sot, mjerisht, jemi në pikë të hallit: i hipim në skenë të Festës së Birrës, Bregoviç e Kor Lira.
Sikur ta durosh me dhimbje shkeljen e dinjitetit prej pagesës që merr prej nesh, i pari kundrejt të dytit (bash si rroga me rritje e deputetit dhe mëditja e pensionistit të Shqipërisë së sotme) ku ta gjesh arsyen e funksionimit të fonisë kur del i pari dhe heqjes së prizes, kur e ka rradhën i dyti: për t’u dëgjuar si miza në qyp.
Rastësi?
Për mua jo, është episodi i rradhës që ilustron ejakulimin e krimit kulturor.
Qenkam ekzagjerues dhe tendencioz?
Zëre se ja futa kot në paragrafin më sipër, po më thuaj pak të lutem, në vitin 2123, si do na i nxerrë goja të themi që ishim ca shqiptarë që anëtarët e Nderit të Kombit, Korit Lira, i paguanim 5000 lek/muaj?
E ndjej se nuk jam vetëm unë që dua të ëndërroj për ditën, kur ky Kor është pasaporta jonë e vërtetë kulturore. Kur përveç koncertit të fundvitit në Teatrin Çajupi, Kori Lyra ka një kalendar eventesh nëpër Shqipëri, Ballkan.
Në Mesdhe e nëpër qytete të botës, menaxhuar nga një ekip i dedikuar njerëzish. Kur ne si shoqëri e tregojmë nderin dhe respektin për këtë Nder Kombi e këtë Pasaportë Kulturore, duke i’u gjendur në rekrutimin e talenteve, duke e ndihmuar në mbarëvajtjen e punëve dhe tërësinë e detajeve që lidhen me Korin, deri edhe duke ia lehtësuar taksat dhe mbështetur shërbimet shëndetësore, të secilit Anëtari dhe Anëtareje të Korit.
Në fund të fundit, e kemi detyrim ndaj atyre që marrin frymë, për të na dhënë frymë!
Ju ftoj t’i bashkojmë ëndërrat me Korin Lyra dhe t’i përkthejmë në plane veprimi.(c) Lazjon Petri.


