Talenti i muzikës popullore Remo Torra në një rrëfim të veçantë për karrierën dhe të ardhmen e ndritur
Remo Torra është një nga këngëtarët më të talentuar të muzikës popullore shqiptare.
Pavarësisht moshës së re, ai sot numëron disa këngë shumë të suksesshme dhe gjithashtu bashkëpunime me këngëtarë të njohur të cilat e kanë bërë atë mjaft të njohur për publikun shqiptar.
Disa prej këngëve më të njohura janë “Dasëm djali”, “Baba edhe nënë”, “Të gjëmojë dasma e madhe”.
Me origjinë nga Mokra e Pogradecit, Remo me kënaqësi pranoi të na tregojë disa detaje më shumë për jetën, karrierën dhe të ardhmen në fushën e muzikës.
Më poshtë lexoni intervistën që ai dha për portalin tonë.
-Remo, përshëndetje. Na bëni një përshkrim të vetes tuaj, për të gjithë publikun që tju njohë më mirë. Kush jeni, mosha, karriera, origjina, familja.
Elton, përshëndetje dhe faleminderit për interesin kundrejt pasionit dhe profesionit tim njëkohësisht, muzikës popullore!
Jam lindur ne nje fshat bregliqenor, Udenisht, ku kam jetuar për 18 vite. Aty kam përfunduar shkollën 9-vjecare dhe të mesme po ashtu. Origjina ime është nga malësia e Pogradecit, Mokra, përkatësisht Çezma e madhe.
Për shaka, kur me pyesin u them se jam me origjine Mokrar, lindur ne Udenisht e jabonxhi në Tiranë! Aktiviteti im me muzikën popullore ka nisur sic ndodh zakonisht, qysh në vegjëli. Ndërkohë që kryeja studimet për Gjuhë shqipe dhe Letërsi në Tiranë, paralelisht u mora me këndimin e këngës popullore. Pasioni për të bëri që të isha i angazhuar për të nxjerrë materiale të reja muzikore, bashkëpunime me disa ndër kompozitorët më të shquar të turbofolkut, duke kaluar peripeci të shumta, por si përfundim i kenaqur nga ckam bërë dhe si i kam bërë.
-Edhe pse prej pak kohësh në treg, këngët e tua kanë filluar të dëgjohen gjithandej nga publiku jo vetëm pogradecar, por në gjithë Shqipërinë. E mendonit këtë sukses në kaq pak kohë?
Te jem i sinqertë, ndërkohë që nga jashtë duket kohë e pakët, kronometri im e përcakton si kohë të gjatë. Thënë kjo kështu pasi muzika në fasadën e vet shfaq estetikën e saj, ndërsa për këngëtarin duhet të përballet me lloj lloj peripecish. Normalisht që ndihem së pari i kënaqur me rezultatet e deritanishme, përqafimin që i ka bërë publiku shqiptar projekteve të mia, dashurinë që publiku më dhuron cdo ditë parreshtur. Besoj se ky sukses eshtë rezultat i pasionit, veshit të publikut dhe fatit (që është tepër i rëndësishëm në këtë fushë).
-Orientimi juaj muzikor qartazi është kënga popullore, dhe kryesisht ajo me motive jugu. Do të vijoni në këtë rrugë, apo keni menduar ndonjë eksperiment tjetër muzikor në rryma të tjera?
Unë jam rritur në një familje ku kënga popullore ka qenë pjesë e përditshme, dhe tek unë ka ardhur aq organike saqë pa të nuk bëj dot. Kohës kurrë nuk i dihet por për momentin e kam fokusin këtu.
-Cfarë ju ka shtyrë më shumë në rrugën e muzikës dhe të këngës?
Shtysa ime kryesore, sic e lartpërmenda, është shtrati folklorik ku unë jam rritur. Ndonjëherë them se vendosin rrethana të jashtme për ndërtimin e individit. Duke u njohur me këngën popullore dhe duke e pëlqyer atë, barazimi është i qartë: melosi i këngës popullore qëndron në venat e mia.
-Cili është bashkëpunimi më I mirë që keni bërë deri më sot me këngëtarë të tjerë, dhe a planifikoni të tjera bashkëpunime në të ardhmen?
Bashkëpunimet i kam të pakta por për mua janë pikante dhe cilësore. Si fillim, me privilegj të madh e them, kam ndarë skenën me legjendën e këngëve epike, prof. Ilir Shaqiri. Erdhi si nje bashkëpunim i rastësishëm duke u takuar në studio dhe përfundoi si një këngë e jashtëzakonshme dhe e pritur shumë mirë nga receptuesi.
Së dyti, bashkëpunimi më i fundit që është dhe kënga ime më e fundit është me këngëtaren ikonike, Irini Qirjako. Mundësia për të kënduar sërish me një nga emrat më të lartësuar të rrymës popullore më bën krenar për arritjet e mia deri tani, por dhe të përulur ndaj mundësive që fati sjell.
-Cfarë mendoni se keni si risi apo dicka ndryshe nga këngëtarët e tjerë të folkut në vendin tonë?
Pyetje e bukur dhe me përgjegjësi. Duke qenë student Letërsie, një nga komponentët që unë e çmoj është teksti.
Si vijim po them se në projektet e mia përvecse kam qenë interpret kam qenë dhe tekstshkrues. Nuk e pranoj bastardimin në tekst, dua t’i qëndroj besnik kësaj rryme që në tërësinë e vet është fanatike dhe kritike, nuk pranon devijime. Risia ime besoj se qëndron në tekst, gjithashtu risjelljen e motiveve popullore të ndërthurur me muzikën e lehtë.
Në këtë mes, është puna më e rëndësishme që ndodh në prapaskenë, ajo punë që bën kompozitori. Që në krye të marrjes me këngë popullore kam bashkëpunuar me disa si Genci Malaj, me tej me Adi Hilën, Ibrahim Bale (shqiptar i Maqedonisë) dhe së fundmi Edmond Zhulali me të cilin kam nxjerrë këngët që publiku dhe unë vetë i kam pëlqyer më shumë.
-Për ta mbyllur, mund të shkruani dicka cfarë të dëshironi ose nëse dëshiron një mesazh për ndjekësit tuaj dhe publikun shqiptar.
Falenderimet e mia janë të pakta ndaj dashurisë dhe mbështetjes që më ka dhënë publiku im. Unë u jam mirënjohës që më ndjekin, pëlqejnë dhe më shtyjnë për projektet e reja. Një muzikë e mirë do një publik të përgatitur, unë them se këtë publik e kam bërë për vete. Duke ju falënderuar të gjithëve një më një, duke ju premtuar se gjëra më të vecanta do dalin se shpejti, ju pershëndes dhe përqafoj të gjithëve, mirënjohje!
Faleminderit dhe ju Elton që krijoni hapësira të tilla për të kontaktuar me publikun, patjeter është e nevojshme të komunikojmë edhe në kësilloj formash. Përshëndetje!
Intervistoi: ELTON DONO