Reshjet e dëborës dhe kushtet e paqëndrueshme atmosferike kanë sjellë problematika në disa zona të qarkut Korçë, kryesisht në formën e rrëshqitjeve të dherave dhe bllokimeve të rrugëve, ndërsa situata vijon të monitorohet nga strukturat e emergjencave civile.
Në bashkinë Pogradec, problematika kryesore mbeten rrëshqitjet e dherave. Gjatë ditës së djeshme, inxhinierët e Shërbimit Gjeologjik kanë inspektuar zonat problematike, përfshirë fshatrat Cërravë dhe Dardhas, ku janë evakuuar disa familje, si dhe zonën pranë rezervuarit të Stropckës. Priten raportet teknike për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme në vijim.
Në Njësinë Administrative Trebinjë vijon të jetë e bllokuar rruga Dunicë për shkak të një rrëshqitjeje të përmasave të mëdha, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet inspektim nga specialistët e Shërbimit Gjeologjik. Rruga e fshatit Malinë është jofunksionale; një mjet është siguruar nga bashkia, por ndërhyrja aktualisht është e pamundur për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.
Në Njësinë Administrative Proptisht vijon bllokimi i rrugës Zall–Torra, ndërsa në fshatin Verrri është riaktivizuar një rrëshqitje e ndodhur rreth 8 vite më parë. Lumenjtë paraqiten me prurje normale dhe nuk raportohen problematika.
Nga bashkitë e tjera të qarkut nuk raportohen problematika të reja, ndërsa vijon puna për neutralizimin e plotë të situatave të krijuara më herët.
Sa i përket akseve rrugore, ARRSH – Rajoni Qendër–Lindje bën me dije se në akset Boboshticë–Dardhë dhe Lapidar Podgorie–Podgorie–Liqenas ka pasur reshje bore gjatë natës dhe po punohet për pastrim dhe kriposje. Aksi Ersekë–Leskovik është i hapur dhe i kriposur, ndërsa në Maliq–Kufi Gramsh janë regjistruar reshje bore në orët e para të ditës, me problematika nga aluvionet në zonën e Lozhanit.
Qarkullimi në akset Korçë–Ersekë, Zemblak–Goricë dhe Bilisht–Miras kryhet pa probleme, ndërsa në akset Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë ka pasur reshje bore me intensitet mesatar, por pastrimi dhe kriposja kanë garantuar qarkullim normal. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin goma dimërore.
Në lidhje me furnizimin me energji elektrike, OSSHEE Rajoni Korçë raporton se janë në funksion 6 grupe operative. Aktualisht pa energji elektrike mbeten rreth 100 abonentë ruralë në disa zona të qarkut, për shkak të defekteve në disa fiderë. Ekipet janë në terren dhe në gatishmëri për riparimin e defekteve, ndërsa të gjithë fiderët që furnizojnë konsumatorët e rëndësisë së veçantë janë në gjendje pune. Hidrovori i Pogradecit vijon funksionimin normal.
Strukturat e emergjencave civile bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat rurale dhe malore.


