Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fillim të muajit shtator, sipas dokumenteve të siguruara nga mediat që zbulojnë detajet e ftesës nga organizata International Democracy Union (IDU).
Dokumentet e ftesës dhe takimet në Dallas
Pas heqjes së sanksionit bllokues në qershor 2026 për të hyrë në SHBA, Sali Berisha ka deklaruar disa herë synimin për të udhëtuar drejt SHBA-së. Së fundmi, dokumenti me titull “konfirmim për pjesëmarrjen tuaj në delegacionin e IDU për Konventën Kombëtare Republikane” zbulon se mbledhja do të mbahet në Dallas më 9 dhe 10 Shtator.
Në letrën e konfirmimit drejtuar Berishës thuhet shprehimisht: “IDU është e kënaqur që ju do të na bashkoheni ne dhe ne jemi konfidentë se pjesëmarrja juaj në këtë mbledhje historike për Partinë Republikane do të jetë me shumë vlerë për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Detaje të tjera në lidhje me lëvizjet e delegacionit, akreditimin dhe programit të eventit do t’ju komunikohen nga sekretariati i IDU”. Gjithashtu, një dokument i datës 7 Gusht nga Instituti Amerikan i Trajnimeve konfirmon regjistrimin e tij si pjesëmarrës në këtë aktivitet.
Kërkesa e Gazment Bardhit drejtuar Ministrisë së Jashtme
Pas marrjes së këtij konfirmimi, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka nisur hapat diplomatikë në Tiranë. Burime nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bëjnë me dije se Bardhi i ka dërguar një kërkesë zyrtare këtij institucioni për të lëshuar një notë verbale shtetërore, e cila do t’i mundësonte Sali Berishës udhëtimin dhe pjesëmarrjen në aktivitetin e republikanëve në SHBA.


