Vatra e zjarrit në zonën e njohur si “Lëndina e Madhe”, e cila ndodhet mbi fshatin Sinicë në bashkinë e Devollit, është shuar plotësisht. Situata paraqitet e normalizuar dhe aktualisht nuk raportohet për përhapje të mëtejshme të flakëve në sipërfaqen pyjore të kësaj zone.
Për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave të zjarrit, forcat zjarrfikëse vijojnë të mbajnë nën monitorim të rreptë terrenin. Në zonën e prekur nga zjarri ndodhen 11 forca zjarrfikëse me 2 mjete, si dhe 7 punonjës të shërbimit pyjor, të cilët po kontrollojnë situatën hap pas hapi.
Situata e zjarreve në rang kombëtar
Ndërsa në Devoll situata është qetësuar, në total në të gjithë vendin mbeten 8 vatra aktive nga 25 të raportuara. Një vatër zjarri aktive prej dy ditësh brenda Parkut Kombëtar të Lurës në Dibër ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme kullotash dhe pyje me pisha e bredha. Gjatë natës, zjarri ka avancuar duke përfshirë zonën e quajtur Gjagjisht dhe është drejtuar drejt pllajave të Lanë Lurës. Mungesa e rrugëve pyjore dhe era e fortë e favorizojnë zjarrin duke përkeqësuar situatën.
Për shuarjen e zjarrit në Lurë janë aktivizuar forca të shumta zjarrfikëse, 50 efektivë të FA, 2 helikopterë dhe 2 avionë. Ditën e sotme raportohet se kanë mbërritur edhe 40 forca ushtarake në mbështetje të shërbimit zjarrfikës, ndërsa dy helikopterë dhe 2 avionë ‘Air Tractor’ po punojnë për shuarjen nga ajri.
Në Krujë vijojnë operacionet në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Vatra mbi lagjen Abaze, në afërsi të vendit të quajtur Kroi i Madh, vijon të jetë ende aktive, ndonëse një pjesë është izoluar falë ndërhyrjes me helikopter. Dy helikopterë, forcat zjarrfikëse dhe banorë të zonës po punojnë për shuarjen e tij. Edhe pse prej 5 ditësh në këtë zonë është punuar me të gjitha mjetet nga ajri e nga toka, trashësia e humusit është mjaft e madhe, duke ruajtur brenda prush dhe duke vështirësuar shuarjen totale.
Ndërkohë, në Drenie të Patosit, gjatë mbrëmjes së kaluar flakët dolën jashtë kontrollit dhe iu afruan banesave. Veç forcave zjarrfikëse, ditën e djeshme ndërhynë edhe 2 avionë, dhe tani zjarri po mbahet nën monitorim. Vatrat në Dajt e Priskë, si dhe ato në Nemërçkë e malin Dhëmbel në Përmet, nuk paraqesin rrezik për momentin.


