Nga Tonin Frroku
Pas fitores dramatike 4-3 ndaj Lushnjës në Korçë dhe rezultateve surprizë nga sfidat e tjera të javës, panorama e Kategorisë së Parë është tronditur ndjeshëm në favor të Skënderbeut. Barazimet Kastrioti–Laçi 2-2 dhe Pogradeci–Iliria 0-0 kanë qenë “dhurata” më e madhe që korçarët mund të merrnin në këtë fazë të sezonit.
Me 34 pikë, skuadra e trajnerit Ernest Gjoka qëndron më e qetë se asnjëherë tjetër në krye të garës, ndërsa rivalët kryesorë kanë humbur terren në momentin më të papërshtatshëm. Laçi mbetet në kuotën e 23 pikëve, ndërsa Pogradeci në 22, një diferencë që tashmë e bën Skënderbeun realisht pretendentin kryesor dhe thuajse ka “prekur” Superiorem.
Skënderbeu kete jave tregoi karakter në një ndeshje të komplikuar si ajo me Lushnjën. Të fitosh 4-3, në një duel ku emocionet ishin maksimale, tregon se ky grup ka jo vetëm cilësi, por edhe personalitet. Gjoka ka ndërtuar një skuadër që reagon, shënon dhe nuk dorëzohet – elementë thelbësorë për një ekip që synon elitën.
Humbja e dy pikëve nga kurbinasit dhe liqenorët e ngushton garën mes tyre për vendin e dytë, ndërsa Skënderbeu largohet me ritëm të pandalshëm. Tani presioni është tek ata: një gabim tjetër mund t’i kushtojë shumë.
Kjo javë sjell dy superpërballje që mund të rikompozojnë krejt klasifikimin.
Laçi – Pogradeci
Një duel direkt për vendin e dytë, një sfidë që pritet të jetë e zjarrtë dhe me tension të madh. Humbja është e papranueshme për këdo.
Iliria – Skënderbeu
Në letër, korçarët janë favoritë, por presioni i qëndrueshmërisë bën gjithmonë ndeshjet e tilla të vështira. Megjithatë, me diferencën që kanë krijuar, Skënderbeu kërkon të vulosë epërsinë dhe të shkojë drejt Superiores me hapa të sigurt.
Kategoria e Parë këtë sezon ka një histori të qartë: Skënderbeu është krijuar për t’u ngjitur. Rezultatet e javës, forma e ekipit dhe qetësia që ka në klasifikim e vendosin skuadrën korçare një hap të madh përpara rivalëve. Ndërsa Laçi dhe Pogradeci e kanë luftën mes tyre, korçarët duken më të vendosur se kurrë për t’u rikthyer aty ku e kanë vendin – në elitën e futbollit shqiptar.


