Klubi i futbollit Skënderbeu ka arritur një marrëveshje të rëndësishme me sulmuesin e majtë Taryck “TJ” Tahid, një prej talenteve më premtues të futbollit kanadez. Vetëm 18 vjeç, me origjinë ganeze, Tahid ka përfaqësuar kombëtaret e të dyja vendeve në moshat e reja dhe ka qenë pjesë e Kanadasë në Kupën e Botës U-17 në vitin 2023.
Me një eksperiencë të konsiderueshme për moshën e tij, sulmuesi ka zhvilluar 46 ndeshje dhe ka shënuar 4 gola me Vancouver FC, ndërsa më herët ka provuar veten edhe te Villarreal, New York Red Bulls dhe Midtjylland.
Tashmë, ai mbërrin në Korçë për të nisur një etapë të re në karrierë, duke u parë nga drejtuesit bardhekuq si një përforcim i rëndësishëm për krahun e sulmit në sezonin e ri.
Me këtë afrimin të ri, Skënderbeu synon të forcojë skuadrën dhe të luftojë fort për objektivat në Kategorinë e Parë.