Orkideja është një lule me origjinë aziatike, e zbuluar në Japoni në vitin 1825 nga Carl Blum, e që prej atij viti është kthyer në një nga lulet më të veçanta. Me shekuj, kjo bimë ka qenë simbol i dashurisë e bukurisë, ndërsa nga kinezët është quajtur edhe si “bima e aromës së mbretit”.
Tefta fillimisht na tregon se si lindi pasioni për t’u kujdesur për këtë bimë të mrekullueshme, si një sfidë mes saj dhe lules. Ajo pyeste veten se pse prishej bima e orkidesë që prej ditës kur filloi ta mbante në shtëpinë e saj. Sipas Teftës, tri janë specifikat e kujdesit të orkidesë, temperatura e ngrohtë, lagështia në ambient, si edhe drita indirekte.
“Pasioni im për orkidenë nisi si sfidë për arsye se unë merrja shumë orkide dhe ato prisheshin sepse kërkonin kushtet e tyre të veçanta. Të veçanta mund ta cilësoj sepse ato kërkojnë temperaturë të ngrohtë, lagështi në ambient dhe shumë dritë indirekte. Dhe kështu filloi si sfidë, pyesja veten pse orkideja prishet.
Unë i kam shumë qejf lulet në përgjithësi dhe mendova pse të mos e provoj ta sfidoj orkidenë. Fillova duke u interesuar, duke lexuar, duke pyetur në sera të mëdha, specialistë më shumë, ia dola. Kam thuajse 10 vjet që kujdesem për orkidetë. Është një lule që kujdesem me pasionin më të madh, mund të them se e dashuroj si bimë, është vërtet një lule speciale për mua dhe do të vazhdoj edhe më tej. Kjo ishte sfida me veten dhe me orkidenë.”
Natyrisht na lind pyetja se sa e vështirë është të kujdesesh për një bimë të tillë, e përgjigjja që marrim nga 36-vjeçarja është “Jo, aspak e vështirë”.
Tashmë, kjo lule është kthyer në një lule të zakonshme, ndonëse kërkon shumë kushte. Tefta na jep tri këshilla se si mund të kujdesemi për një orkide.
“Tashmë nuk mund ta quaj të vështirë, thjesht për mua është një lule e zakonshme dhe kur më pyesin, më thonë që kërkon shumë kushte. U them që jo, nuk është e vërtetë. Më thonë orkideja prishet, u them sërish nuk është e vërtetë. Unë po ju them tri arsye ose tri këshilla se si mund ta mbajmë ne atë. Ujitjen kur rrënja ka nevojë, ambientin e ngrohtë dhe dritën.
Këto janë tri specifikat që kërkon orkideja. Më pas janë edhe fertilizantët, kushtet se si do ta mbajmë në shtëpi nga temperatura, luhatja nga e ngrohta në të ftohtë. Por nuk është e vështirë, është një lule shumë e bukur që mund ta rrisim shumë lehtë.”
Bota nuk do të kishte kuptim pa lulet, e sidomos pa llojin e orkidesë. Në fakt, ekzistojnë rreth 60 lloje të kësaj bime, por Tefta zgjedh të veçojë disa prej tyre, duke treguar edhe të veçantat që ato kanë. Ajo e nis me falenopsin, e cila ndahet në tri kategori, më pas përmend orkidenë e dimrit të quajtur cimbidium, si edhe papilopidium pinokio, e cila është orkide që lulëzon gjatë gjithë vitit. Ajo çka e bën më të bukur e të mahnitshëm koleksionin e saj të orkideve është një lloj shumë i rrallë që Tefta ka arritur ta marrë në shtëpinë e saj, e që pret të lulëzojë për herë të parë.
“Janë shumë lloje, por do të specifikoj vetëm disa. Unë jam përqendruar te falenopsi, që ndahen në falenops i thjeshtë, botanike dhe hibride. Kemi aromatike e të thjeshta, kemi dhe të bëra nga specialistë në laboratorë dhe po dalin shumë specie. Unë kam cimbidiumin, i cili është dimëror, këtu e quajnë orkide e egër, por nuk është e egër. Orkide e egër është një tjetër, e quajtur salepi. Është miltonia shumë e bukur, zigopetalum, ka shumë lloje orkidesh.
Por unë jam përqendruar te miltonia, falenopsi me tri llojet e saj, dhe sigurisht që nuk do të hiqja nga lista ime papilopidilum pinokio, e cila është një lule që lulëzon gjatë gjithë vitit. Kam marrë edhe falenopsi gigantean, e cila është shumë e rrallë për ta gjetur në vendin tonë, unë arrita e gjeta. Tani po pres të më lulëzojë, është hera e parë që po lulëzon dhe vërtet me atë mund të them që ia dola.”
Korçarja është aq e dashuruar me lulen e orkidesë, sa edhe djalit të vogël të saj i ka vendosur emrin e njërës prej llojeve të kësaj bime.
“Kur e kam parë në fillim më ka tërhequr lulja normal. Kjo është aromatike, por ka emrin e veçantë, ‘Joy Fairytale’ dhe ka emrin e djalit tim të vogël. Kur e pashë dhe lexova emrin, nuk e diskutova që do ta merrja.”
Aktualisht, Tefta ka zgjedhur që të qëndrojë pranë të apasionuarave ndaj orkidesë, nëpërmjet llogarisë së saj në “Instagram”. Kjo është rruga lidhëse e saj me të gjitha zonjat, të cilat kërkojnë të kujdesen për orkidenë, zonja që çdo ditë e kontaktojnë Teftën duke i drejtuar pyetje të ndryshme sa i përket kujdesit për këtë bimë. 36-vjeçarja me shumë kënaqësi u përgjigjet të gjitha pyetjeve, duke treguar kështu jo vetëm dashurinë e pasionin për orkidenë, por edhe dëshirën e madhe për të ndihmuar të apasionuarat e tjera.
“Unë kam një faqe në ‘Instagram’, është ‘Kujdesi për orkidenë’, kam disa ndjekës, zonja shumë të mira. Pyetjet që më bëjnë shpeshherë janë se si duhet ujitur orkideja, sa kohë duhet ta lëmë në ujë, a mund të përdor ujë me oriz ose ujë me patate. Unë gjithmonë e rekomandoj që jo, sepse janë fertilizantë të dëmshëm për orkidenë. Unë gjithmonë rekomandoj ujitjen një herë në muaj me fertilizantë, si ushqyes të jashtëm që i ndihmojnë, pasi orkidetë janë të kapura në pemë pavarësisht se ne i mbajmë në vazo. Zonjat më bëjnë pyetje të ndryshme që unë ju përgjigjem me shumë kënaqësi dhe ato më ndjekin me pasionin e tyre më të madh.”
Kujdesi për këtë bimë është shumë i rëndësishëm, nëse do të duam që të ketë jetëgjatësi dhe të marrim mbrapsht atë dashuri që i japim orkidesë. Në fund të kësaj interviste, Tefta u kushton rëndësi të veçantë këshillave që duhet të ndjekin zonjat që mbajnë orkide në shtëpitë e tyre. Ajo e nis me vendosjen e vazove të duhura, ujitjen në kohën kur orkideja jep shenjat në rrënjët e saj, si edhe përdorimin e kanellës pluhur për të parandaluar infeksionet e mundshme që mund të zënë bimën.
“Këshilla e parë që unë jap në kohën kur marrim një orkide është mosndërrimi i vazos. Siç e shihni, orkideja është e kapur rreth e rrotull vazos dhe ato janë transparente për të parë rrënjët. Rrënjët janë jeshile sepse është e ujitur, orkideja ujitet vetëm kur rrënjët bëhen gri, jo më shpesh sepse nuk kërkon lagështi në vazo, por në ambient në masën 60%. Ndriçimin e kërkon ta ketë indirekt për arsye se gjethet digjen nga dielli. Uji nuk duhet t’i bie në gjethe ose te kurora sepse krijon infeksion dhe është e sigurt prishja e saj. Duhet të dini që orkideja nuk duhet të lëvizet nga vazoja të paktën për tri vjet. Mund ta lëvizim nga vazoja vetëm nëse kemi rrënjë të prishura, nëse gjethet fillojnë bien. Edhe një këshillë tjetër, duhet të përdorim kanellën pluhur nëse kemi infeksion ose shohim diçka të pazakontë tek orkideja, sepse kanella nuk e lë infeksionin të përhapet. Sugjeroj të mos prihen kërcejtë nëse janë jeshilë, orkideja e vendos vetë kur e prish kërcellin.”
Një histori 10-vjeçare e Tefta Mitaces, 36-vjeçares korçare, e cila ka vendosur që jetën t’ia përkushtojë orkidesë. Lulja qindravjeçare, që i përket bukurisë e dashurisë, duket se ia ka marrë zemrën Teftës, e cila s’mund të kalojë asnjë ditë pa u kujdesur në shtëpinë e saj për dhjetëra vazo e lloje të orkideve.
Ky është një nga shembujt më të bukur të një vajze, e cila vijon të jetojë me pasionin e saj për lulet, e në të ardhmen kërkon të krijojë ambientin e saj të orkideve për të mirëpritur të gjitha vajzat e zonjat që janë të apasionuara pas tyre.
Marrë nga CNA