Gjyshen time e quanin Adivije. Por unë deri sa ajo mbylli sytë e quajtaAne. Nuk e dija që ashtu thirret nëna,e dija që cilado gjyshe Ane e kishte emrin.
E kështu aneja ime, që më rriti sa erdha në shtëpi nga materniteti e deri sa i hodha një grusht dhe te varrezat e Korçës,çdo ditë mbaj mend që lutej e falej në gjuhë të huaj. Nuk ve dorën në zjarr në se i dinte arabisht ato që thosh,pra i kishte mësuar permendësh,por kujtoj që ligjërata e saj qe e mbushur me plot zanore “a“ dhe me “ll” pa fund. Dukej sikur i gëlltistet fjalët që i rrëshqisnin nëpër grykë.
E dija që ishte besimtare muslimane jo nga që falej rregullisht,por nga që frazat që thosh i kishte të njëjtat. Pra lutje të mësuara saktë prej dikujt se vetë ajo s’dinte as shkrim e as këndim.
Kështu rrodhi besimi i saj deri sa në shtëpi erdhi nuse nëna ime. Ajo mbërriti atje pa dasëm e pa bujë me orkestër nga që gjyshi im nuk donte një dhëndër musliman.
Pra e mësuat,mamaja ime qe ortodokse. E sa erdhi aji te aneja,aneja nuk hoqi dorë nga lutjet e saj prej muslimaneje të devotshme. Vazhdoi ritualin,madje me zë pak më të lartë se më parë,si për inat të mamasë,mendonim ne të gjithë. Që t’i tregonte se te kjo shtëpi ku ajo vuri këmbën kishte një zonjë që shkonte në xhami dhe që dinte përmendësh plot faqe të Kuranit. Ama dhe nëna nuk u tut fare.
Bash te dhoma e ndenjes,në cep të murit vuri një ikonë të shën Mërisë dhe herë pas here ndiste qiri,lutej e falej dhe ajo. Qe jetë e bukur ato mote jeta jonë. Plot lutje e falje. Më shumë dëgjonim Krisht e Muhamet se emrat tanë a të komshinjve.
Por deri sa një mëngjes mamaja dhe ne fëmijët e kapëm gafil gjyshen. E kapëm anenë para Shën Mërisë. E kapëm duke bërë kryqin dhe duke u lutur bash mbi ikonën e mamasë. Në fakt nuk po fliste ato fjalët arabisht,por nxirrte nga goja fjalë shqip. Ah sa shumë fjalë shqip! Thoshte,o shën Mëri fali shëndet nuses sime punëtore,fali gëzim asaj dhe burrit të saj,fali…Na u duk si dredhi ato çaste. Po merrte mamanë me të mirë që ajo mos i rrinte aq pranë më shën Mërisë së saj e kështu aneja ta kishte të lirë fushën e lutjeve muslimane.
Kësaj dileme tentoi t’i japë shpjegim babai. Ndaj nisi hetimin:
- O ane,(kështu e thirrte dhe ai),pse për nusen e shëndetin e saj nuk i lutesh zotit tënd te xhamia,por shën Mërisë? Aneja ndenji e heshtur ca çaste. Por vetë ca çaste. Mendja e saj si google po rendiste arsyet e sjelljes së saj.
- Dëgjo bir! Edhe atë që thua ti e kam bërë. Madje plot e plot herë. Dhe në xhami lutem për nusen,për fëmijët dhe për ty. Por më duket se kaq nuk mjafton. Andaj bëj kryqin orë e çast dhe lutem para kësaj ikone,ndez dhe qiri.
- Pse?-e pyeti babai.
- Se duke u lutur vetëm te zoti im lutja vonohet. Zoti im do e lexojë,do e mbajë shënim,do e miratojë,më vonë do ia nisë me zarf qiellor zotit të nuses sonë. Pa do e lexojë dhe ky e më pas do të japë porosi të interesohen për shëndetin e ne të gjithëve. E sheh pra që rruga është shumë e gjatë. Ndaj unë i rashë shkurt. Shkova drejt dhe te shën Mëria. Që ajo lutjen time ta nisë urgjent dhe pa vonesë të fillojë mbikqyrja shëndetësore mbi familjen tonë. Për më tepër mua zoti i nuses sonë më dëgjon veçan,-qeshi ajo.
- E pse kështu?-e nënqeshi babai.
- Se unë jam fe tjetër,pra jam mendim ndryshe i thoni ju me shkollë. Që respektohem dmth mes njerëzve e jo më mes zotave të qiellit.
Kaq tha e mira jonë. Dhe atë çast hodhi sytë nga shën Mëria. Qeshi,bëri kryqin e shkoi matanë te dhoma e saj. Që andej nisën të na vijnë në vesh lutjet arabisht të anesë sime…të muslimanes ortodokse…