SHOKU I DIELLIT
Shumë gjëra nuk më kujtohen, por nga që ishte histori ngjethëse,me dramacitet të fortë,e kam të ngulitur thellë në mendje. Kam qënë 5 vjeç atë mot. Trazovaç i paparë,kështu më quante gjyshja. Derisa një ditë vura në alarm gjithë mëhallën.
Në Korçë çdo fillim vere riparoheshin gropat e rrugëve. E në krye të tyre vendoseshin fuçi mbushur me zift. U vihej një zjarr poshtë e kur llokoçiste vala e merrnin me garuzhde të mëdha dhe spërkatnin pjesët e rrugës që do mbushnin. Në një nga këto fuçi,por akoma pa zjarr poshtë se qe mëngjes e punëtorët ende nuk ishin paraqitur në kantier,hypa unë trimi i Alajdinit. Dhe pas dy minutash zifti që ishte si pelte nga moti i ngrohtë më mbërtheu sandalkat. Doja të hiqja një këmbë,rëndoja mbi tjetrën dhe ikja poshtë. E zeza e bitumit si fillim më gëlltiti gishtat,po u ngjitej kyçeve…atëhere nisa ulërimat. I trembur,i pafuqishëm,në ankth e stres. Mbërritën punëtorët ca çaste më vonë.
Më kapën për ijesh, dhanë forcë për lart,por zifti nuk më lëshonte. Më kafshonte sapo më ngrinin me forcë.Kur mbërriti nëna m’u shtuan lotët e frika. Ajo shkulte flokët e bërtiste:
- E mjera unë do ngelet djali pa këmbë. Do bëhet si Nerënxa. (Ishte fqinja jonë invalide,me këmbë proteza.)
Një kalimtar propozoi të ndiznim zjarr poshtë fuçisë. U grumbulluan ca dërrasa dhe…
- Ndaloni ore,-bërtiti babai.
Dukej që kishte vrapuar se ballin e kish plot bulëza djerse. Largoi dërrasat me këmbë dhe pasi më përqafoi më rrëzoi në rrugë bashkë me fuçinë.
- Mos u tremb, bir. Tani jemi bashkë.
Drejtoi grykën e fuçisë andej nga perëndimi,vuri këmishën e tij poshtë kokës sime dhe u shtri si unë në bulevard. E filloi:
- Do të të çoj në Pogradec për dy ditë. Do bëjmë not në gjol,bir.
- Po nuk di not.
- Do ta mësoj unë,të premtoj.
- Dua ta shkruaj vetë dhe emrin.
- Ta tregoj une. I kërkoi nënës laps,letër dhe filluam.
- Ja kjo është A,ja dhe G,ja I…Pastaj ia nisi vjershës sime “Një zog i vogël rri në fole”.
Më pas kënduam plot këngë. Dielli më binte në kokë,por e shihja dhe tek sytë e babait. Më tej vura re që kisha rrëshqitur nga fuçia. Kisha dalë në rrugë bashkë me ziftin. Nxehtësia e drekës e holloi pelten e zezë,e la pa dhëmbë. Babai mori një sqepar nga Jani,komshiu i katit të parë dhe hoqi si infermier copat rreth këmbës.
Pastaj më ngriti lart e veç më shtrëngonte fort. Bashkë me nënën ikëm të lumtur në shtëpi. Sa herë hapej ky muhabet thuhej se mua më ndihmoi dielli. Po pa babain ai nuk bënte dot gjë. Qe mençuria e tij që i tha diellit:
- Ma shpëto djalin! Shpejt! Tani! E dielli e bëri. Se shoku nuk ia prish shokut…