50 nomadë digjitalë nga kompania ndërkombëtare e teknologjisë EPAM, të vendosur në Shqipëri pas luftës në Ukrainë, kanë vizituar Korçën këtë fundjavë në kuadër të një takimi për prezantimin e potencialit që ofron qyteti si një qendër e përshtatshme për punë në distancë dhe bashkëpunim profesional.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, theksoi se kjo vizitë është një mundësi e mirë për të integruar nomadët digjitalë në ekonominë e qytetit, duke krijuar ura bashkëpunimi mes tyre dhe komunitetit lokal. Ai vlerësoi faktin që Korça, përmes infrastrukturës së saj të përshtatshme dhe atmosferës mikpritëse, mund të kthehet në një qendër tërheqëse për profesionistët ndërkombëtarë të teknologjisë.
Gjatë vizitës së tyre, nomadët digjitalë patën mundësinë të eksplorojnë qytetin, të njihen me kulturën dhe traditat vendase, si dhe të zbulojnë potencialin që ofron Korça për jetesë dhe zhvillim profesional. Ata vizituan disa prej pikave kryesore të qytetit dhe patën mundësinë të ndërveprojnë me komunitetin lokal.
Takimi u mbajt në ambientet e Korça Innovation Hub, një qendër inovative ku të rinjtë e qytetit zhvillojnë aftësi në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes. Gjatë këtij takimi, nomadët digjitalë u njohën me metodat e punës dhe edukimit që përdoren në qendër, duke shkëmbyer ide dhe përvoja me profesionistët vendas.
Andri Hluzdovckyi, një nga nomadët pjesëmarrës, u shpreh i kënaqur me mikpritjen dhe potencialin që ofron Korça për tërheqjen e profesionistëve të teknologjisë.
“Korça është një qytet me energji pozitive dhe një mjedis të favorshëm për punë dhe bashkëpunim profesional. Mikpritja dhe ambienti krijues janë vërtet mbresëlënës,” u shpreh ai.
Ky bashkëpunim pritet të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe profesional të qytetit, duke e pozicionuar Korçën si një destinacion tërheqës për nomadët digjitalë dhe profesionistët ndërkombëtarë të teknologjisë.


