City News Albania sjell për shikuesit një personazh mjaft të veçantë të qytetit të Korçës. Koleksionisti Mirgen Shamblli, prej 15 vitesh zhvillon pasionin e tij për objektet unike dhe me vlerë, që i përkasin viteve të hershme dhe tematikave të ndryshme.
Një sërë koleksionesh duke filluar nga qelqi, qeramika, kartolinat, si edhe artizanati, e bëjnë galerinë e Mirgenit një nga më të bukurat.
Mirgeni tregon se si ka nisur pasioni i tij për koleksionimin e objekteve të vjetra, jo vetëm shqiptare por edhe të huaja, si edhe shprehet se vështirësia për gjetjen e tyre është e madhe dhe kërkon kohë e mundim.
“Pasioni për të koleksionuar ka filluar 15 vite më parë, duke gjetur objekte të veçanta, fotografi, pulla poste dhe duke i seleksionuar sipas zhanrit dhe gjinisë, e duke krijuar koleksione të veçanta për çdo objekt. Nuk e kam të trashëguar, është thjesht pasion i imi. Janë disa koleksione, në rradhë të parë ai që kam më përzemër është i pullave të taksës, në filateli. Kam koleksionin e qelqit, pasi kam krijuar një guidë identifikimi dhe katalog me objekte të shumta shqiptare nga vitk 1954 deri në 1992. Gjithashtu, koleksionoj qeramikën shqiptare, fotografinë, objekte të artizanatit, bakrit e bronxit, si tematikë më vete, po ashtu dhe me lodra fëmijërie dhe shishet e pijeve. Këto i gjej në pazari i vjetërsirave, në shtëpi të vjetra, edhe njerëzit që e dinë pasionin tim, më dhurojnë. Ka edhe raste që i blej brenda mundësive. Vështirësia është e madhe sepse duhet të kesh një farë kapitali, pasi janë të gjitha të bllokuara. Rol të madh luan edhe familja ime që bashkëpunon me mua dhe më mirëkupton, vajza dhe bashkëshortja.”
Në ndërtesën dy katëshe, Mirgeni ka seleksionuar çdo koleksion dhe e ka vendosur në pjesë të ndryshme të kësaj ndërtese, për ti dhënë fokusin dhe po ashtu rëndësinë e duhur çdo materiali dhe objekti që ndodhet në të. Edicioni i kartolinave që ndodhet në një prej këndeve të dhomave mbetet një nga më të veçantët për historinë që mbartin ndër vite.
“Në këto kartolina është një edicion që kam marrë në një ankand në Gjermani pasi më tërhoqi shumë. Makinat janë kryesisht Ford dhe Mercedes, në vitet 1900-1910. E kam kornizuar si një koleksion të bukur. Këtu kemi kartolina të vjetra, me artistë kinemaje me pamje nga Venecia dhe Italia, dhe poshtë njerëz të ndryshëm nga Korça, familje korçare. Është interesante. Më tepër kanë vlerë shpirtërore sesa vlerë monetare sepse këto i gjejmë edhe në ankande online që kushtojnë disa cent. Të veçanta janë kartpostalet me aktorë, sepse janë shumë pak dhe janë edicion i limituar. Sidomos mund të përmendim aktorët e viteve 1910 dhe 1930.”
Vend të koleksionit të Mirgenit zenë edhe kartolinat e vjetra postare që i përkasin viteve 1970 deri 1990, e që përfshijnë një pjesë të historisë 20 vjeçare të disa prej qyteteve të Shqipërisë. Krahas vendeve më piktoreske, kartolinat përmbajnë edhe tematika të tjera, të cilat përdoreshin nga korçarët për të dërguar urime festash.
“Kartolinat postare janë një koleksion mjaft i veçantë që kam krijuar. Ka të bëjë me një tematikë lidhur me qytetet e Shqipërisë, pamjet e tyre dhe vendet më pikante të pasqyruara në kartolinë. Kjo rreth viteve 1970 deri në vitet 1990. Tematikë tjetër është arti figurativ i galerisë kombëtare, nga piktorë më me emër shqiptarë, një pjesë tjetër janë kartolina me lule, me imazhe të fëmijëve, kostume popullore. Këto përdoreshin si urime që dërgonin njerëzit në raste festash.”
Projekti më i madh dhe mbase më afër zemrës së koleksionistit është pikërisht ai i qeramikës. Korça është një nga qytetet që vite më parë e ka patur shumë të zhvilluar artin e qeramikës, edhe me disa fabrika që sot nuk janë më. Një sërë objektesh janë bërë pjesë e këtij koleksioni të gjerë, që përfshin pjata të ndryshme, qypa, tavlla duhani, figurina me kostume popullore dhe vazo lulesh që korçaret i vendosnin në oborret e banesave të tyre.
“Projekti i rradhës është ai i qeramikës shqiptare. Janë shumë objekte që kam grumbulluar ndër vite dhe mendoj të krijoj një guidë identifikimi për këto objekte. Kryesisht janë prodhime të fabrikave shqiptare ndër vite, si fajanca, porcelani dhe qeramike. Këtu kemi pjatat, tavllat e duhanit që janë interesante shumë. Kemi objekte porcelani të Tiranës të cilat i cilësoj si të rralla pasi janë të viteve 1965 gjatë marrëdhënieve që kishim me kinezët. Kemi figurinat e ndryshme, me kafshë, filxhanë e çajit dhe kafesë. Kalojmë te një pjesë interesante e koleksionit, këtu është Fajanca e Korçës, me objekte të rralla si kanat e ujit, po ashtu edhe figurinat me kostume popullore, qypat dhe koleksioni shtrihet deri tek busti i Skënderbeut me 3 dimensione përmasash, vazot me lule që zbukuronin amvisat shtëpitë e tyre nëpër oborre. Gjithashtu kemi objekte nga qeramika e Tiranës me objekte ilire, miniaturat nga artistikja e Vlorës, Korçës dhe Kavajës, ambazhurë dhe arka kursimi.”
Për Mirgenin, pasionin e koleksionimit të objekteve të vjetra nuk e gjen në rininë e sotme. Ai gjen rastin nëpërmjet kësaj interviste, të drejtojë një thirrje drejt të rinjve.
“Nuk e di nëse ka të rinj që merren me këtë lloj hobi ose pasioni. Mbase e shohin si diçka të çuditshme dhe bëj një thirrje që të gjithë të rinjtë të mundohen të koleksionojnë diçka nga çdo lloj fushe. Në këtë mënyrë rruajmë trashëgiminë tonë kulturore, dhe historinë tonë pasi çdo objekt flet në vetvete e tregon diçka.”
Ndonëse me një profesion ndryshe, Mirgen Shamblli ka zhvilluar pasionin e tij të koleksionimit të objekteve të vjetra, për të mbajtur gjallë jo vetëm trashëgiminë kulturore korçare, por edhe për të mbajtur gjallë historinë shqiptare që shumë pak të rinj janë të njohur në ditët e sotme. Për të gjithë të interesuarit që janë kuriozë të shohin këto objekte nga afër, City News Albania iu vendos në dispozicion numrin e kontaktit të Mirgenit, i cili në çdo kohë është mikpritës për çdo vizitor brenda Shqipërisë por edhe jashtë saj.
Marrë nga CNA


