Pas shumë vitesh u takova me një pedagogun tim në Pogradec. Po flisnim për aktualitetin klimaterik, temperaturat e larta në vend dhe avantazhin e madh që ofron Pogradeci në këtë periudhë.
“Sa herë vendos të vij këtej në Pogradec iu them shokëve se po iki në Zvicër”, më tregonte profesori. Dhe për hir të së vërtetës, krahasuar edhe me qytete të tjera të Shqipërisë Pogradeci është një parajsë e vërtetë. Vija liqenore deri në Tushemisht, parku i qytetit, që fillon nga qendra e mbaron tek fillimi i vilave qeveritare, vetë liqeni, uji i pijshëm 24 orë në rubinetë, Driloni, ajri i pastër që tashmë është luks për shumë qytete të mëdha, çmimet e arsyeshme, pastërtia e rregulli i japin Pogradecit statusin e një qyteti shumë të këndshëm. Ku i’a vlen të shkosh e të pushosh.
Nga Shpetim Luku gazetar ekonomik


