Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komenteve dhe satirave në rrjetet sociale lidhur me asimetrinë në hundën e tij, përmes një mesazhi me video pas mbledhjes së zhvilluar në qytetin e Pogradecit.
Shefi i qeverisë sqaroi se kjo shenjë fizike nuk ka lidhje me pretendimet e ngritura online për përdorim lëndësh narkotike, por është pasojë e një sulmi fizik të pësuar vite më parë. Sipas tij, kjo gjurmë do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës si kujtim i asaj ngjarjeje.
Sqarimi i kryeministrit për pretendimet në rrjet
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi: “Shoh që ka herë pas herë njerëz që merren me hundën time, me këtë asimetrinë. Falë edhe kontributit të algoritmit që ka ndërmjetësuar qenërinë politike të Shqipërisë jashtë këtyre pasqyrave dixhitale me ato që jetojnë në këto pasqyra, vjen ajo ironia e mallit, drogës, shtrembërimit.”
Më tej, kryeministri sqaroi origjinën e dëmtimit: “Ky shtrembërim këtu është shenja që trupi im do ta mbajë gjithë jetën nga një tentativë për të më fshirë nga faqja e këtij dheu ku unë kam lindur, jam rritur dhe jam sot këtu sepse edhe këtë gjurmë s’e kam nga ndonjë arsye tjetër.” Ai u shpreh se synimi i tij ka qenë gjithmonë ndërtimi i një vendi ku qytetarët nuk ulin kokën.


