“Rroj për djalin, rroj në llamarina, rroj në sëmundje” – Dashuria sakrifkuese e babait për të birin
Pak pa arritur në Këlcyrë, ora 16:03, në anë të rrugës së ngushtë qëndronte në këmbë një burrë “i vrarë” në fytyrë e anës tij një djalë i buzëqeshur, në karrocë. Frenat në vend!
Dola t’i pyes mos duhej të shkonin diku.
*Jo jo, nuk kemi nevojë të ikim ndonjë vend, afër e kemi shtëpinë – më thotë Dashnori, me kokën ulur.
Po 39 gradë, ç’bëni jashtë në pikun e vapës?
*Jetoj në një shtëpi me llamarina, djali, Jetmir quhet, është invalid. Nuk duron dot të nxehtën. Bëhet furrë shtëpia në behar.
Provova t’i jap dorën e ta përshëndes Jetmirin por reagoi vetëm me një buzëqeshje
*Nuk kupton. As emrin nuk e di. 29 vjeç është. I pëlqen ngjyra jeshile, i pëlqen të qetësohet në natyrë.

Si ja bën për jetesën Dashi? Me se rron?
*Me borxhe. Pres dru në mal. I shes një metër 30 mijë lek. Ja sikur më kanë futur brenda policët. Po gjynah djali, pa mua më mirë më bëhet, aty ha bukë.
Vetëm Jetmirin ke?
*Kam e një djalë tjetër, pa punë. Ka kohë kërkon punë. E ai më ndihmon ca. Kishte shkuar këto ditë në bashki por kryetari e kishte nxjerrë me inat. Jemi fukarenj. Fukarain e kanë inat. Sidomos kur është edhe i sëmurë.
Nuk dija çfarë t’i thoja. Më ikën fjalët. Sytë më ngelën tek buzëqeshja e Jetmirit.
Dashi, nuk di ç’të të them. Të paktën të shkoj te ble ca ushqime dyqan t’ua sjell.
*Sevap do bësh. Po mos i thuaj që i do per mua. Kam borxhe aty e më vjen turp. Nuk i kam dalë para asaj të dyqanit. Fukarallëku përveçse të bën me turp, të heq e burrërinë…


