Në ambientet e bibliotekës “Skënder Luarasi” në Kolonjë u mbajt promovimi i librit “Arbëreshët, Shqiptarët e Italisë”, shkruar nga studiuesi dhe autori i njohur, Fatmir Toci.
Ky libër përfaqëson një kontribut të çmuar në ndriçimin e historisë së komunitetit arbëresh në Itali, duke përfshirë rrugëtimin e tyre historik, përpjekjet për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe rolin që ata kanë luajtur në ndërtimin e një ure kulturore mes dy vendeve.
Ngjarja u zhvillua mes një atmosfere të ngrohtë ku ishin të pranishëm miq, artdashës dhe figura të njohura të kulturës kolonjarë. Të pranishmit vlerësuan përkushtimin e autorit në ndjekjen dhe dokumentimin e rrënjëve të arbëreshëve, si dhe në evidentimin e kontributit të tyre për të mbajtur gjallë identitetin shqiptar në diasporë.
Autori Fatmir Toci ndau me pjesëmarrësit detaje interesante nga studimi i tij, duke i ftuar ata të reflektojnë mbi rëndësinë e trashëgimisë arbëreshe në ruajtjen e lidhjeve mes shqiptarëve dhe komuniteteve shqiptare në Itali.


