Superliga e volejbollit të meshkujve ka kompletuar të shtunën javën e 11-të të kampionatit me takimin Skënderbeu-Elbasani. Ashtu sikurse pritej, për korçarët rezultoi gjithçka thjeshtë përballë elbasanasve që paraqiteshin me vetëm 6 lojtarë dhe një libero në këtë transfertë.
Skënderbeu i mbylli llogaritë me rezultatin e pastër 3- 0 në një takim që zgjati 57 minuta në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”. Pas një nisje të mirë nga Elbasani në pikët e para, Skënderbeu e mori shpejt kontrollin e lojës, për ta fituar setin e parë 25-21 me pikën finale nga amerikani Tanner Woods. Në setin e dytë korçarët shkëputen që në fillim, ndërsa një tjetër amerikan, Caylor Cox, fikson shifrat 25-17 me pikën e fundit.
Në setin e tretë miqtë rezistojnë deri në shifrat 11-11, pasi më tej të zotët e shtëpisë rivendosin distancat, duke e fituar setin 25-19 dhe të gjithë takimin 3-0.
Për sa i përket statistikave individuale, ofensiva e korçare në këtë takim u udhëhoq nga Woods me 19 pikë, Cox regjistroi 10 pikë, shifër që e arriti edhe Emanuel Driza. Për Elbasanin u dalluan Brajan Thano me 15 pikë dhe Andi Garunja me 9. Kjo ishte fitorja e tetë në kampionat për Skënderbeun, me korçarët që i blindojnë edhe më shumë pozitat në vendin e dytë të renditjes, ndërsa verdheblutë elbasanas mbeten të fundit me nëntë humbje në po kaq ndeshje të zhvilluara.
Kujtojmë që java e 11-të u hap të premten me ndeshjet Tirana-Studenti 3-0 dhe PartizaniVllaznia 3-0. Të kuqtë e Ylli Tomorrit kryesojnë kampionatin me pikë të plota, pa humbur asnjë set gjatë këtij sezoni.


