Gazetari: Këtë fundjavë organizuat një event të veçantë me pjesëmarrjen e Sofokli Calit nga Nouvelle Vague. Si lindi ideja për këtë bashkëpunim?
Marin: Ideja lindi nga dëshira për të sjellë në qytetin tonë eksperiencë dhe frymëzim nga një prej bareve më të njohur në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht. Nouvelle Vague është një bar konceptual që ka ndikuar thellë në skenën shqiptare të miksologjisë. Prania e Sofos ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të ndarë përvoja dhe për të sjellë një vizion të ri në komunitetin tonë.
Gazetari: Çfarë përfaqëson Nouvelle Vague dhe pse ishte e rëndësishme të kishit një bashkëpunim me ta?
Marin: Nouvelle Vague është një bar që lindi në vitin 2012 nga dy vëllezër, Sofokli dhe Evis Cali. Është një vend me shpirt, ku çdo detaj është konceptuar me kujdes dhe pasjon,çdo gjë është ndërtuar me dorë dhe mendim të thellë,ky element e ben kete bar autentik.Menuja e tyre e fundit, “ORIGIN’AL”, përqendrohet në shërbimin e traditave shqiptare përmes një qasjeje të rafinuar dhe moderne të miksologjisë. Ky përkushtim i ka çuar ata të renditen në listën e zgjeruar të World’s 50 Best Bars, në vendin #86 në 2023 dhe #95 në 2024.
Gazetari: Si u organizua eventi dhe çfarë përfshinte ai?
Marin: Eventi nisi me një Master Class ne mesdite tek Biblioteka Thimi Mitko, dedikuar profesionistëve të industrisë së miksologjisë. Ishte një hapësirë për të mësuar, diskutuar dhe për të kuptuar më shumë rreth krijimtarisë në këtë fushë. Sofo ndau përvojën e tij dhe filozofinë që qëndron pas krijimeve të tij.
Ai përmendi një frazë që më la mbresa: “Think Local, Drink Global”. Një qasje që përpiqet të sjellë shijet dhe traditat lokale në një kontekst ndërkombëtar të miksologjisë. E njëjta filozofi është ajo që kemi ndjekur edhe në restorantin tonë, The Roast Club, ku zbatojmë konceptin “Think Local, Eat Global”. Ne përpiqemi të përdorim produkte lokale dhe t’i sjellim ato në një mënyrë që ndërthur shijet globale dhe teknikat moderne të kuzhinës.
Pas Master Class-it,ne mbremje tek Republika organizuam një degustim të hapur për klientët, ku prezantuam një menu speciale koktejsh, secila e ndërtuar me kujdes për të sjellë një përvojë të veçantë shijimi.
Gazetari: Cilat ishin disa nga koktejet që u prezantuan gjatë eventit?
Marin: Çdo koktej ishte një histori më vete. Për shembull:
- Black Sabah – I frymëzuar nga tradita shqiptare e mëngjesit me kafe turke dhe raki.Redistilimi i rakisë së muskatit me kafe turke i jep një shije të butë dhe të pasur.
- Barbie – Një interpretim modern që zëvendëson frutat tropikale me fruta të egra nga veriu i Shqipërisë, për të theksuar shijet lokale.
- English Climber – I frymëzuar nga thjeshtësia e jetës gjatë komunizmit, kur çaji i malit me bukë ishte një vakt i zakonshëm.
- Poppy – Një kombinim i guximshëm që përfshin raki manaferrash nga Kukësi, bacon, mollë të kuqe dhe erëza, duke krijuar një përvojë shijimi unike.
Gazetari: Çfarë ndikimi ka një event i tillë për qytetin dhe industrinë lokale?
Marin: Mendoj se evente të tilla kanë një ndikim shumëdimensional. Para së gjithash, ato kontribuojnë në zhvillimin kulturor dhe turistik të qytetit. Turistët kërkojnë eksperienca autentike dhe kur gjejnë një histori të treguar përmes një kokteji apo pjate, kjo bëhet pjesë e përvojës së tyre kulturore.
Nga ana tjetër, është një mundësi për komunitetin e miksologjisë që të frymëzohet dhe të mësojë. Këto bashkëpunime krijojnë lidhje, shkëmbime idesh dhe nxisin krijimtarinë në industrinë tonë. Të shohësh një bar si Nouvelle Vague që ka arritur nivele ndërkombëtare, është një motivim i madh për të gjithë.
Gazetari: Si e shihni të ardhmen e miksologjisë dhe gastronomisë në qytetin tuaj pas një eksperience të tillë?
Marin: Ky është vetëm fillimi. Qyteti ynë ka potencial të madh për të zhvilluar një kulturë të fortë, qoftë në miksologji, qoftë në gastronomi. Me The Roast Club, kemi parë se si traditat lokale mund të përshtaten në një mënyrë globale dhe të sjellin diçka të re dhe të veçantë për konsumatorët.Besoj se çdo eksperiencë, qoftë përmes një kokteji apo një pjate, është një mundësi për të treguar historinë tonë. Dhe ne kemi shumë histori të bukura për të treguar.
Gazetari: Si e vlerësoni ndikimin e brandit Republika në qytetin e Korçës?
Marin: Republika është pjesë e qytetit te Korçës prej 10 vitesh dhe gjatë kësaj kohe kemi qenë të përkushtuar për të sjellë diçka të veçantë në qytetin tonë. Përveçse një hapësirë mikpritëse, kemi dashur që Republika të jetë një vend ku muzika, miksologjia, gastronomia dhe jeta e natës zhvillohen dhe ndahen me të gjithë. Më shumë se çdo gjë, kemi dashur të kontribuojmë në krijimin e përvojave që i japin qytetit tonë një ritëm unik dhe që lënë kujtime të bukura për këdo që na viziton. Por ajo që e bën këtë rrugëtim më kuptimplotë janë njerëzit që na ndjekin, që besojnë tek ne dhe që ndajnë këtë përvojë me ne. Ata janë frymëzimi dhe arsyeja pse ne vazhdojmë të përpiqemi për më shumë. Në fund të ditës, motoja jonë “Multispace feels like home” përfaqëson pikërisht këtë ndjesi – dëshirën për të krijuar një hapësirë ku të gjithë ndihen si në shtëpinë e tyre.
Gazetari: Menuja juaj e fundit “Gjurmët e Tokës” ka tërhequr vëmendje. Çfarë përfaqëson kjo menu?
Marin:’Gjurmët e Tokës’ është një rrugëtim ku natyra lë gjurmët e saj në çdo përzierje. Është një reflektim i lidhjes sonë me tokën, përbërësit e saj dhe mënyrën sesi këto elementë mund të transformohen në përvoja unike të shijes. Në çdo koktej kemi dashur të përfshijmë këtë filozofi, duke sjellë diçka që është thellësisht e rrënjosur në natyrë, por e interpretuar përmes një qasjeje moderne të miksologjisë.
Gazetari: Çfarë vlerësimi dha Sofokli për recetat tuaja të koktejleve, duke qenë se ju prej disa vitesh keni në menunë tuaj kokteje Signature?
Marin: Ishte shumë inkurajuese të dëgjonim vlerësimet e Sofos për koktejet tona Signature. Ai theksoi se, kur vlerëson një koktej, gjithmonë e bën nga perspektiva e një konsumatori të gjeneratës së re, 20-25 vjeç, sepse në fund të ditës ajo që ka rëndësi për ta është shija. Ata duan një koktej të shijshëm dhe nuk kanë interes për teknikat që ne përdorim pas kuintave. Veçanërisht, ai dha një “bravo të madhe” për Nikolinin për guximin dhe për sjelljen e një produkti final kaq modern dhe te shijshem në tavolinë. Ky feedback ishte shumë i vlefshëm dhe motivues për të vazhduar rrugën tonë të eksplorimit dhe inovacionit në miksologji.


