Të dhënat e fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit tregojnë se vetëm 15.9% e ujërave bregdetare në Shqipëri u klasifikuan me cilësi të shkëlqyer, duke shënuar përqindjen më të ulët në krahasimin e këtij institucioni. Sipas raportimeve që i referohen sezonit 2025, numri i pikave bregdetare me cilësi të keqe është rritur nga 6 pika që ishin në vitin 2022 në 26 pika gjithsej. Në nivel kombëtar, duke përfshirë edhe ujërat e brendshme, 28 nga 119 pikat e monitoruara, ose 23.5% e tyre, rezultuan me cilësi të keqe për shkak të përqendrimit të baktereve Escherichia coli dhe enterokokëve intestinalë.
Problematikat e shkarkimeve dhe verifikimet e KLSH-së
Në zonën e Vlorës, vëzhgimet në terren në Plazhin e Ri dhe Plazhin e Vjetër tregojnë se tubacionet e shkarkimit të ujërave të ndotura derdhen drejtpërdrejt në det pranë zonave ku pushojnë qytetarët. Sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2023, pika të tilla si Shkolla e Marinës, Plazhi i Kabinave dhe Kampi i Pionierëve kishin cilësi të keqe të ujërave. Veçanërisht te Shkolla e Marinës, kjo situatë vlerësohej e përsëritur për pesë vite të njëpasnjëshme. Edhe pse kuadri rregullator parashikon vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese apo ndalimin e larjes, verifikimet e kryera në korrik 2024 treguan se këto masa nuk ishin zbatuar në terren.
Kufizimet në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura
Raporti Vjetor i Entit Rregullator të Ujit sqaron se shoqëria e ujësjellës-kanalizimeve në Vlorë ishte e licencuar për largimin e ujërave të ndotura, por jo për trajtimin e tyre për shkak të mungesës së lejeve mjedisore. Auditimi i KLSH-së ka konstatuar se impianti i Vlorës kryente vetëm trajtim primar mekanik, duke përpunuar rreth 35% të ujërave, të cilat më pas bashkoheshin me ujëra të patrajtuara që vinin nga hidrovori përpara se të përfundonin në det. Përpjekjet për zerimi i ujërave larës problematikë përbalen me sfidat e infrastrukturës mjedisore në bregdet.


