Një 28-vjeçare është dënuar me 6 vite burg nga Gjykata e Lartë në Edinburg të Skocisë, pasi u shpall fajtore për vrasjen pa dashje të vajzës së saj 3-muajshe, e cila ndërroi jetë pasi u ekspozua për një periudhë të gjatë ndaj nxehtësisë së një tharëseje flokësh.
Rrethanat e ngjarjes tragjike dhe procesi gjyqësor
Ngjarja ka ndodhur në shtator 2023, në një banesë në Peterhead të zonës Aberdeenshire. Gjykata mësoi se e dënuara, Courtney Gartsor, kishte konsumuar alkool përpara ngjarjes dhe kishte njoftuar shërbimet e emergjencës pasi vuri re se foshnja, Dalia-Rose, kishte ndryshuar ngjyrë. Pavarësisht mbërritjes së ndihmës së shpejtë, fëmija kishte ndërruar jetë, ndërsa në tharësen e flokëve u gjetën gjurmë të ADN-së së saj.
Gjatë procesit gjyqësor u bë me dije se foshnja kishte pësuar djegie të rënda në rreth 18% të trupit, përfshirë edhe kokën. Avokati mbrojtës, Murray Macara, deklaroi se klientja e tij nuk e kujtonte përdorimin e pajisjes, duke ngritur hipotezën se ajo mund të jetë përpjekur ta ngrohte fëmijën. Gjithashtu, eksperti i djegieve, Dr. Timothy Burge, dëshmoi se dëmtimet termike mund të mos kishin qenë shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes, me mundësinë që foshnja të kishte ndërruar jetë përpara ekspozimit ndaj nxehtësisë.
Vendimi i jurisë dhe reagimi i autoriteteve
Pavarësisht prapësimeve të mbrojtjes, juria arriti në një vendim unanim fajësie pas pak më shumë se një ore diskutimesh. Gjyqtari Simon Collins e cilësoi çështjen si “jashtëzakonisht tronditëse dhe të dhimbshme”, duke theksuar se 28-vjeçarja do të mbajë përgjegjësinë e kësaj ngjarjeje përgjatë gjithë jetës së saj.
Pas dhënies së vendimit, inspektori i policisë James Callander u shpreh se “fëmijët janë të pambrojtur dhe duhet të mbrohen”, duke nënvizuar se vdekja e një fëmije nga duart e prindit mbetet një ngjarje tepër e rëndë për të gjithë komunitetin dhe grupin hetimor.


