Godina historike e Shkollës së Vashave në Korçë, një nga simbolet më të rëndësishme të arsimit shqip dhe emancipimit të gruas, do të shndërrohet në muze pas blerjes nga komuniteti ungjillor, i cili ka nisur tashmë ndërhyrjet e para emergjente për të ndalur degradimin e saj. Ky projekt synon të rikthejë në jetë monumentin e lënë pas dore prej vitesh, duke e kthyer atë në një qendër historike dhe kulturore për qytetin.
E ngritur në vitin 1891 falë përpjekjeve të familjes së njohur Qiriazi, kjo shkollë nisi rrugëtimin e saj me më shumë se 100 vajza nxënëse. Familja Qiriazi luajti një rol vendimtar në historinë e arsimit, Rilindjes Kombëtare dhe protestantizmit shqiptar, duke e kthyer këtë godinë në një vatër të rëndësishme të përhapjes së gjuhës shqipe.
Projekt i ri për historinë e Shkollës së Vashave
Sipas David Hosaflook, përfaqësues i Institute for Albanian & Protestant Studies, ndërtesa mbart një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për komunitetin protestant, por për mbarë historinë e qytetit të Korçës dhe kombit shqiptar. Ai thekson se gjendja e objektit ka qenë tejet e rënduar dhe kërkonte masa të menjëhershme mbrojtëse.
“Ky objekt, pavarësisht se është monument kulture, ka qenë i pabesueshëm dhe gjendja është e tmerrshme. Ka nevojë për ndërhyrje urgjente, vetëm ta mbrojmë. Në tetor kemi 135-vjetorin e Shkollës së Vashave. Qëllimi dhe ideja është të kthehet në muze. Duam të bëjmë një muze shumë tërheqës për kombin shqiptar. Nuk ka qenë vetëm shkollë apo kishë, janë fshehur çeta, ka qenë spital për të plagosurit dhe shumë gjëra të tjera kanë ndodhur këtu”, shprehet David Hosaflook.
Punimet e para po kryhen për të stabilizuar strukturën dhe për të parandaluar dëmtimet e mëtejshme nga faktorët atmosferikë. Synimi përfundimtar është krijimi i një hapësire muzeale moderne, ku vizitorët vendas dhe turistët e huaj do të mund të njihen me dokumente të rëndësishme të periudhës, historinë e familjes Qiriazi dhe rrugëtimin e vështirë të arsimimit të vajzave shqiptare.


