Qyteti i Pogradecit po përballet me një fluks të jashtëzakonshëm vizitorësh dhe trafik mjaft të rënduar gjatë këtij mesi gushti, çka ka detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit për të menaxhuar qarkullimin. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur gjysma e dytë e këtij muaji shënonte largimin e pushuesve, këtë sezon po ndodh e kundërta në qytetin liqenor.
Temperaturat e freskëta dhe aktivitetet kulturore shtojnë vizitorët
Temperaturat më të freskëta që karakterizojnë zonën kanë bërë që një numër i madh qytetarësh të zgjedhin pikërisht Pogradecin për të kaluar pushimet e tyre verore. Situata e qarkullimit rrugor rëndohet akoma më shumë gjatë fundjavës, e nxitur edhe nga aktivitetet e shumta kulturore dhe koncertet që po zhvillohen në të gjithë zonën e juglindjes.
Policia Rrugore në terren për të lehtësuar qarkullimin
Për të përballuar radhët e gjata të automjeteve në rrugët e brendshme të qytetit dhe për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve, efektivat e Policisë Rrugore janë dislocuar në disa pika kyçe. Efektivët po punojnë intensivisht për normalizimin e trafikut dhe shmangien e bllokimeve në akset kryesore të qytetit liqenor.


