Fermerët e Qarkut të Korçës kanë pasur një vit të mbarë për sa i përket tregtimit të bimëve medicinale, pasi pjesa më e madhe e prodhimit është shitur dhe çmimet kanë shënuar rritje. Gjergji Çibuku, një nga fermerët e zonës, thotë se këtë vit është rritur ndjeshëm kërkesa për lule cjanin, ndërsa edhe çmimet e tregut kanë qenë të favorshme.
Në veçanti, çaji i malit është tregtuar me 1500 lekë/kg, nga 1000 lekë/kg që ishte më parë, ndërsa molla e egër ka arritur një çmim prej 1600 lekë/kg. Po ashtu, një interes të lartë në treg ka pasur edhe për dëllinjën e zezë, e cila përdoret për përpunim dhe ka një kërkesë në rritje.
Rreth 80% e bimëve medicinale dhe aromatike të Shqipërisë kultivohen në Qarkun e Korçës, ku zonat më potenciale për këtë sektor janë Bashkia e Kolonjës, Devollit, Maliqit dhe Pustecit.
Fermerët shprehen optimistë për vazhdimësinë e tregut, duke theksuar rëndësinë e investimeve dhe përkujdesjes për të ruajtur cilësinë e lartë të prodhimit.


