Korçë – Sëmundjet pulmonare kronike po shënojnë një rritje të vazhdueshme nga viti në vit në qytetin e Korçës. Kjo konfirmohet nga Shefi i Shërbimit të Pneumo-Ftiziatrisë në spitalin rajonal të Korçës, Samuel Kristo, i cili thekson se një shqetësim serioz mbetet fakti që shumica e pacientëve paraqiten për trajtim në faza të avancuara të sëmundjes.
“Janë disa simptoma përmes të cilave mund të kuptohet një sëmundje kronike e mushkërive,” – shprehet Kristo, duke theksuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të kërkuar ndihmë mjekësore sapo shfaqen shenjat e para.
Ndërkohë, sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik, Qarku Korçë renditet mes qarqeve me problematikën më të lartë në vend sa i përket sëmundjeve pulmonare. Aktualisht, në këtë qark numërohen rreth 1 mijë qytetarë që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive.
Ekspertët apeluan për rritjen e fushatave ndërgjegjësuese dhe kontrolle më të shpeshta, me qëllim kapjen dhe trajtimin në kohë të këtyre patologjive që mund të rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe jetën e pacientëve.


