Policia e Pogradecit ka proceduar penalisht tre persona të përfshirë në dy raste të dhunës fizike të ndodhura në qytetin e Pogradecit dhe në fshatin Llëngë.
Burime zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë bëjnë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E. A., 40 vjeç, dhe K. N., 37 vjeç, banues në Pogradec.
Dyshohet se këta shtetas, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta në kokë një 37-vjeçar. I dëmtuari u transportua në spital, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, është proceduar penalisht edhe shtetasi Ll. Dh., 65 vjeç, banues në fshatin Llëngë, pasi dyshohet se ka goditur me një mjet druri një 58-vjeçar, për shkak të një konflikti të çastit. Edhe në këtë rast, i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi ka marrë trajtim në spital.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.


