Vitet e fundit, fshatrat e bashkisë së Pustecit janë vizituar nga shumë turistë të huaj, të cilët janë tërhequr nga natyra e bukur, qetësia dhe mikpritja e banorëve vendas.
Sipas operatorëve turistikë Pusteci krahas bukurive natyrore, ujërave të liqenit të Prespës ofron dhe një kulinari tradicionale shumë të pëlqyer nga vizitorët.
“Shumica e turistëve në zonën e Prespës dhe vijnë nga jashtë. Pëlqejnë natyrën e liqenin. Ka lokale, të shtuna e të djelen ska vende. Pjesa më e madhe kërkojnë pjesën e Krapit“,- tha Todi Jono.
“Turistët janë shtuar me një numër të shumtë nga vitet e tjera. Edhe ato shumica janë nga Gjermania, Zvicra, nga Serbia, Kroaci kemi. Më tepër kanë të pëlqyer tavën e krapit, krapi i pjekur, i skuqur, cironka, keto gjëra”- u shpreh Pandi Sotiri.
Dy prej turistëve gjermanë që pjesë të udhëtimit të tyre në Shqipëri kanë vendosur dhe Prespën tregojnë se kjo zonë ofron shumë për syrin e tyre, sidomos Parku Kombëtar.
“Vij nga Gjermania, është e parë në Shqipëri. Natyra këtu është fantastike, Parku Kombetar një magji”.
“Sapo erdhëm në Prespe, erdhëm nga jugu, tani po shijojmë pamjen këtu. Është shumë bukur këtu, njerëzit mikpritës, nuk e prisja këtë. Çmimet shumë të favorshme”.
Për të ofruar kushte maksimale për turistët vendas e të huaj, sipas kryetarit të bashkisë Pali Kolefski ky institucion po ndërton për herë të parë një plazh publik me gjithë kushtet e kërkuara.
“Ka filluar puna për rehabilitimin e një plazhi publik për herë të parë në zonën e Prespës. Kjo erdhi si nevojë e shtuar e turistëve që kohët e fundit kanë filluar ta vizitojnë me tepër. Do shtojë vlerat e kësaj zone e do shtohen e ditët e qëndrimit. Nuk është thjesht një plazh publik por do ketë e facilitate të tjera, do kompletohet me bar veror, dhoma zhveshje, e rrethuar dhe e mirëmbajtur”.
Bashkia e Pustecit përbëhet nga 9 fshatra, 7 prej të cilëve lagen nga ujërat e Liqenit të Prespës.


