Ngjarje me karakter penal janë shënuar ditët e fundit në qytetet e Korçës, Pogradecit dhe Maliqit, ku pesë shtetas janë proceduar nga policia për vepra të ndryshme penale.
Në Korçë, një i ri 21-vjeçar ka rënë në prangat e hetimit, pasi gjatë një kontrolli fizik nga policia iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Në të njëjtin qytet, dy persona të tjerë janë kapur duke kryer punime ndërtimi pa leje dhe ndaj tyre ka nisur një procedim penal.
Edhe Pogradeci nuk ka qenë i qetë. Një 20-vjeçar ka goditur një 44-vjeçar me send të fortë pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, duke përfunduar në hetim. Ngjarje e ngjashme është regjistruar edhe në Maliq, ku një 41-vjeçar ka ushtruar dhunë fizike ndaj një personi tjetër, gjithashtu për motive të dobëta.
Ndërkohë, një rast tronditës është shënuar në fshatin Pojan të Maliqit, ku një 32-vjeçar ka tentuar të vetëvritet në banesën e tij duke u prerë me thikë. Ai është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vijon të marrë trajtim mjekësor.
Për të gjitha rastet, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ku do të kryhen veprimet e mëtejshme hetimore.
Njoftimi i policisë;
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin L. B., 21 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit V. L., dhe E. N., pasi u kapën duke bërë punime ndërtimi pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin J. S., 20 vjeç, pasi ka goditur me send të fortë një 44-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin M. G., 41 vjeç, pasi ka goditur me grushte një 38-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Më datën 25.05.2025, në fshatin Pojan, Maliq, ka tentuar të vetëvritet në banesë shtetasi S. S. 32 vjeç, duke u prerë me një mjet prerës thikë. Aktualisht po merr mjekim në spital jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


