Korçë – Policia e qarkut ka kryer disa veprime procedurale gjatë 24 orëve të fundit, që përfshijnë një arrestim në flagrancë dhe disa referime materialesh në Prokurori për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin V. Th., 72 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij. Viktima është pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Po në Korçë, nisi procedimi penal për shtetasin V. M., 29 vjeç, banues në Shtyllë, pasi u kap duke transportuar rreth 5 metër kub lëndë drusore të prerë në kundërshtim me ligjin. Lënda u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, në Pogradec, filloi procedimi penal për disa shtetas të përfshirë në konflikte fizike. N. H., 55 vjeç, akuzohet se ka goditur një 68-vjeçar, ndërsa A. B., 32 vjeçe, dhe V. B., 57 vjeçe, janë proceduar pasi janë konfliktuar fizikisht me njëra-tjetrën.
Në Maliq, shtetasi F. K., 19 vjeç, është proceduar pasi akuzohet për prishje të rendit dhe qetësisë publike, për shkak të zhurmave të krijuara në lokalin e tij në fshatin Sheqeras.
Një ngjarje shqetësuese u regjistrua në Miras, ku shtetasi A. L., 67 vjeç, dyshohet se ka tentuar të vetëvaret në banesën e tij. Ai është shpëtuar nga familjarët dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.


