Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka ndërmarrë masa të menjëhershme në lidhje me tre raste të veçanta të shkeljeve të ligjit, gjatë kontrolleve të fundit në territorin e saj.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin B. C., 19 vjeç, banues në Vashtmi, pasi u kap duke drejtuar një automjet pa leje drejtimi.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin J. B., 22 vjeç, banues në fshatin Taç. Ky shtetas dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke u larguar në mënyrë të kundërligjshme nga banesa.
Po ashtu, Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë referuar materialet në Prokurori, pas konstatimit të shkeljeve në një servis automjetesh në fshatin Leshnicë. Shtetasi D. Sh., 33 vjeç, banues në Stropckë, dyshohet se ka kontrabanduar nga Britania e Madhe katër automjete, pjesërisht të çmontuara, pa dokumentacionin përkatës, me qëllim shitjen. Automjetet u sekuestruan gjatë kontrollit.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.


