Policia e Korçës ka vënë në pranga shtetasin Genci Sanço, 49 vjeç, pasi dyshohet se ka tentuar të kryejë një vjedhje në fshatin Goskovë, duke shkelur kështu masën e sigurisë që e detyronte të qëndronte në banesë.
Sipas policisë, ngjarja u zbulua pas kallëzimit të bërë nga një banor i zonës, i cili raportoi tentativën e vjedhjes në banesën e tij. Menjëherë pas këtij denoncimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, duke finalizuar me arrestimin e 49-vjeçarit banues në Goskovë.
Akuzat dhe referimi në prokurori
Gjatë verifikimeve të kryera nga uniformat blu, rezultoi se i arrestuari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, pasi dyshohet se ka drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme hetimore. I dyshuari do të përballet me akuzat për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Foto: Bufi i Urtë


