Pogradeci u mbush me magjinë e teatrit për fëmijë, teksa në sallën e Teatrit të Kukullave “Pirro Xëci” u çel zyrtarisht edicioni i 19-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit të Kukullave “XINXIFILO”. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore, tashmë një traditë e dashur për qytetin dhe jo vetëm, nisi me shfaqjen “Rina Balerina”, me regji nga Dhimitraq Tasellari dhe skenar të Andi Kostës.

Trupa e aktorëve të Teatrit të Kukullave “Pirro Xëci” solli në skenë një performancë të shkëlqyer, që u prit me entuziazëm dhe duartrokitje nga fëmijët dhe prindërit e pranishëm. Emocionet e para të festivalit u përforcuan edhe nga fjalët përshëndetëse të Nënkryetares së Bashkisë së Pogradecit, znj. Entela Gusho, dhe Drejtorit të Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, z. Eritan Kamolli.

Ceremonia e hapjes mori jetë edhe nga performanca plot ngjyra dhe energji e vogëlusheve të grupit të kërcimit të Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, me koreografi të Zhuljeta Kalkollarit, të cilat i dhuruan publikut një moment të veçantë artistik.

Festivali do të vijojë në ditët në vijim me shfaqje nga trupa të ndryshme teatrale nga qytete të ndryshme si Berati, Elbasani, Tetova, Korça, Vlora, Prishtina dhe Tirana, duke sjellë diversitet kulturor dhe artistik për publikun më të vogël dhe familjarët e tyre.

Festivali “XINXIFILO” mbetet një platformë e rëndësishme për promovimin e artit të kukullave dhe edukimit artistik të brezit të ri, duke forcuar bashkëpunimin kulturor mes qyteteve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve.


