Pas konstatimit të rastit të parë të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në fshatin Shuec të bashkisë Devoll, janë identifikuar edhe vatra të tjera të sëmundjes në disa zona të vendit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton se aktualisht janë konfirmuar gjithsej 8 ferma pozitive në 6 vatra të ndryshme.
Në kuadër të masave parandaluese, që prej datës 4 qershor 2025, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka kryer monitorime intensive në terren, duke kontrolluar 1,673 ferma me një total prej 270,925 krerësh dele dhe dhi.
Sipas njoftimit zyrtar, në terren janë angazhuar veterinerë zyrtarë të cilët po kryejnë kontrolle të vazhdueshme në ferma, tregje dhe akse rrugore, për të frenuar lëvizjet e pakontrolluara të kafshëve të imta. Në rastet ku është konstatuar prania e virusit, janë marrë masa për asgjësimin e kafshëve të prekura dhe karantinimin e fermave përkatëse.
Ministria i bën thirrje të gjithë fermerëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të kontaktojnë menjëherë veterinerin lokal nëse konstatojnë simptoma të dyshimta tek kafshët e tyre, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Autoritetet theksojnë se parandalimi dhe kontrolli i PPR mbetet një prioritet kombëtar për të mbrojtur shëndetin e blegtorisë dhe ekonominë bujqësore të vendit.


