Maturantët e qarkut të Korçës kanë zhvilluar ditën e sotme provimin e parafundit të Maturës Shtetërore, atë të Matematikës. Sipas të dhënave të siguruara nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë, në këtë provim morën pjesë 1838 nxënës nga të gjitha gjimnazet e qarkut.
Testimi u zhvillua në qetësi dhe pa probleme në të gjitha qendrat e përcaktuara: katër në qytetin e Korçës, tri në Pogradec, dy në Maliq si dhe nga një në bashkitë Devoll dhe Kolonjë. Provimi nisi në orën 10:00 dhe zgjati deri në 12:30, duke u dhënë maturantëve 2 orë e gjysmë kohë për t’u përballur me pyetjet.
Në përgjithësi, sipas komenteve të vetë nxënësve, niveli i vështirësisë së provimit varionte nga mesatar te i vështirë, ndërsa për disa ishte më i lehtë për t’u përballuar.
Procesi i zhvillimit të provimit ka qenë i rregullt dhe pa shkelje, duke respektuar të gjitha rregullat e përcaktuara për maturën shtetërore, si nga nxënësit, ashtu edhe nga mbikëqyrësit.
Provimi përmbyllës i Maturës Shtetërore do të jetë ai i lëndës me zgjedhje, i cili është planifikuar të zhvillohet më 24 qershor.


