Policia Kufitare e Korçës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Lugina 3”, duke goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. Si rezultat, është arrestuar në flagrancë shtetasi algjerian A. B., 20 vjeç, i cili u kap gjatë natës në fshatin Kapshticë, teksa po shoqëronte një tjetër shtetas algjerian, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Sipas hetimeve, 20-vjeçari dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, organizonte kalimin e emigrantëve nga vendet e treta drejt Shqipërisë në mënyrë të paligjshme, me synim tranzitin drejt vendeve të Bashkimit Europian përmes Malit të Zi, kundrejt pagesës.
Operacioni u realizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Kapshticës dhe Prokurorinë e Korçës. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.


