Në fshatin historik të Linit, Pogradec, u zhvillua sesioni më i fundit mbi gërmimet arkeologjike në vendbanimin e lashtë palafit, një nga më të vjetrit në Evropë. Arkeologu Adrian Anastasi bëri të ditur zbulimin e strukturave të reja, duke përfshirë edhe një gardh rrethues, që dëshmon zhvillimin dhe organizimin e jetës në këtë vendbanim parahistorik.
Profesor Adrian Anastasi deklaroi se gjetjet e fundit hedhin më shumë dritë mbi strukturën dhe historinë e këtij vendbanimi të hershëm, ndërsa arkeologu Ilir Gjipali e cilësoi atë si një nga vendbanimet më të lashta në Evropë dhe një pasuri e rrallë për historinë dhe arkeologjinë e Ballkanit.

Në sesion mori pjesë edhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber, e cila vlerësoi bashkëpunimin mes ekspertëve zviceranë dhe shqiptarë si një shembull të shkëlqyer partneriteti në fushën e shkencës dhe trashëgimisë kulturore. Ambasadorja Huber theksoi rëndësinë e trajnimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të njohurive, duke theksuar edhe potencialin e madh turistik që mbart ky site arkeologjik.
Edhe kryetari i Bashkisë Pogradec, z. Ilir Xhakolli, e cilësoi këtë zbulim si jashtëzakonisht të rëndësishëm jo vetëm për qytetin e Pogradecit, por edhe për Shqipërinë dhe gjithë rajonin. Ai nënvizoi se falë këtyre gërmimeve, interesi i të huajve për të vizituar Linin dhe zonën e gërmimeve është shtuar ndjeshëm, duke theksuar nevojën për ndërtimin e një muzeu të posaçëm për vendbanimin palafit, në mënyrë që kjo pasuri unike të jetë e aksesueshme për brezat dhe vizitorët.

Zbulimet e fundit në sitin “Lin 3” e forcojnë akoma më shumë rolin e kësaj zone si një qendër me rëndësi arkeologjike dhe një destinacion në rritje për turizmin kulturor, jo vetëm përgjatë vijës liqenore, por në të gjithë juglindjen e Shqipërisë.


