Ajla, një vajzë e vogël vetëm 3-vjeçare, po kalon muajt më të vështirë të jetës së saj, duke luftuar me një sëmundje të rëndë në zemër. Pas ekzaminimeve të kryera në Shqipëri, mjekët konstatuan probleme serioze kardiake – disa arterie dhe një valvul që kërkojnë ndërhyrje të ndërlikuara kirurgjikale.
Për shkak të kompleksitetit të rastit dhe moshës së njomë të Ajlës, familja u detyrua të kërkonte ndihmë mjekësore jashtë vendit. Ajo ndodhet aktualisht në spitalin “Memorial” në Turqi, një nga qendrat më të specializuara për sëmundjet e zemrës tek fëmijët.
Deri tani, vogëlushja i është nënshtruar tre operacioneve të rënda. Fatkeqësisht, ndërhyrja e tretë nuk pati suksesin e shpresuar dhe gjendja e saj u rëndua më tej për shkak të një komplikacioni në mushkëri. Mjekët janë detyruar të ndalojnë përkohësisht çdo ndërhyrje në zemër, derisa të stabilizohet mushkëria.
Nëse trajtimi për mushkëritë shkon mirë, ndërhyrja tjetër në zemër është planifikuar për 1 korrik 2025. Pas saj, do të nevojiten edhe një tjetër ndërhyrje kirurgjikale dhe një qëndrim i gjatë në spital.
Në këtë moment të vështirë, familja e Ajlës thotë se nuk e përballon dot më shpenzimet e larta që kërkon trajtimi.
“E kemi të pamundur të mbulojmë të gjitha shpenzimet vetëm. Përveç dy ndërhyrjeve të tjera që e presin Ajlën, ajo do të ketë nevojë për trajtim të gjatë dhe të vazhdueshëm në spital. Jemi në vështirësi të mëdha ekonomike dhe i bëjmë thirrje të gjithë vëllezërve dhe motrave shqiptare, kudo që ndodhen, të vendosin dorën në zemër dhe të na ndihmojnë sado pak,” – shprehet familja.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë për shpëtimin e jetës së vogëlushes, mund të përdorin të dhënat më poshtë:

Ajla ka vetëm 3 vjeç. Ajo meriton të jetojë, të rritet, të qeshë dhe të përjetojë një fëmijëri të lumtur. Sot, ajo ka nevojë për ne, për solidaritetin dhe dashurinë tonë.


