Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka intensifikuar kontrollet në zonat turistike për monitorimin e nivelit të zhurmave që krijohen nga aktivitetet e ndryshme, veçanërisht ato që lidhen me muzikën në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Në kuadër të masave të marra për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror, uniformat blu kanë zhvilluar takime informuese me administratorë dhe pronarë biznesesh, për t’i njohur ata me detyrimet ligjore që lidhen me kufizimin e ndotjes akustike, sipas ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.
Gjatë ditëve të fundit, strukturat e sigurisë publike kanë kryer matje në disa lokale dhe ambiente në zonat turistike, duke përdorur aparatura të posaçme për matjen e nivelit të zhurmës. Sipas policisë, janë konstatuar tre subjekte që operonin mbi normat e lejuara ligjore, ndaj të cilëve janë vendosur gjoba administrative me vlerë nga 200 mijë lekë secila.
Përveç nivelit të zhurmës, janë kontrolluar edhe respektimi i orarit të lejuar për muzikë në ambiente të hapura, i cili është nga ora 11:00 deri në 24:00, sidomos në zonat e banuara.
Policia e Korçës thekson se do të vijojë kontrollet për të garantuar qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve dhe turistëve, duke ftuar publikun që të denoncojë çdo rast shkeljeje, duke siguruar ndërhyrje të menjëhershme ligjore.


