Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Korçë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj pasojave që valët e të nxehtit dhe temperaturat ekstreme kanë mbi shëndetin mendor, veçanërisht tek individët vulnerabël dhe personat me probleme ekzistuese psiko-sociale.
Sipas specialistëve, i nxehti ekstrem shoqërohet me rritje të nervozitetit, përkeqësim të simptomave të depresionit dhe rritje të rasteve të vetëvrasjeve. Përveç kësaj, temperaturat e larta mund të ndikojnë në sjellje, duke kontribuar në shtimin e agresivitetit, dhunës në familje dhe përdorimit të substancave.
Studimet kanë treguar gjithashtu se të nxehtit ndikon negativisht në kujtesë, vëmendje dhe kohë reagimi, ndërsa problemet me gjumin që shoqërojnë këto temperatura mund të përkeqësojnë më tej shëndetin mendor.
NjVKSh Korçë apelon qytetarët të marrin masa mbrojtëse, të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin ekspozimin e tepërt në diell dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse ndiejnë përkeqësim të gjendjes emocionale ose psikologjike.


